MASHT

Ministri Bajrami i dorëzoi detyrën ministrit të ri të Arsimit, Shyqiri Bytyqi

12 Shtator, 2017

Ministri i deritanishëm i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i ka dorëzuar sot detyrën ministrit të ri, Shyqiri Bytyqi.

Me këtë rast, ministri Bajrami uroi ministrin Bytyqi për detyrën e re dhe uroi që të ketë sukses në rrugëtimin e tij në këtë sektor të rëndësishëm të jetës në Kosovë. Ai përmendi disa të arritura në arsim gjatë mandatit të tij, ku veçoi fillimin e zbatimit të Kurrikulës së Re në të gjitha shkollat e Kosovës, Planin Strategjik të Arsimit 2017-2021 si dhe Strategjinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsim, dokumente të cilat ia dorëzoi ministrit të ri.

Ndërsa, ministri Bytyqi falënderoi ministrin Bajrami dhe tha se është i vetëdijshëm për suksesin që është arritur, por edhe për shumë probleme, të cilat kërkojnë zgjidhje.

“Do të vazhdojë punën që është bërë deri më tani, sukset që janë arritur do t’i vazhdojmë, problemet që ekzistojnë t’iu gjejmë zgjidhje që arsimi në Kosovë të marrë një rrugë çfarë i duhet vendit tonë dhe çfarë e meriton Kosova si një shtet i ri”, tha ministri Bytyqi.

Janë momente të rëndësishme të vendit tonë, tha ministri Bytyqi, kur jemi në rrugëtim drejt Evropës dhe na duhet një arsim cilësor, një arsim i cili do të jetë me standarde të njëjta si për tregun e brendshëm, ashtu edhe për atë të jashtëm.

Ministri i ri i Arsimit premtoi se do të bashkëpunojë me partnerë të arsimit dhe me të gjithë akterët, në të mirë të zhvillimit të arsimit dhe ngritjen e cilësisë në këtë sektor.

Last modified: 25 Gusht, 2022