MASHT

Ministri Bajrami hapi garën e nxënësve “Siguria në rrugë”

5 Qershor, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka bërë hapjen e garës me nxënësit përfaqësues nga shkollat e vendit, në kuadër të Edicionit të tretë të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë”.

Ky aktivitet dhe aktivitete të tjera përgjatë gjithë vitit, kanë për qëllim vetëdijesimin dhe rëndësinë e njohjes së shenjave dhe rregullave të trafikut, për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës.

Ministri Bajrami, me këtë rast vlerësoi se, ky aktivitet përpos karakterit garues, ka edhe karakter edukativ dhe se kjo formë e edukimit është shumë e rëndësishme për të krijuar një edukatë qytetare, për rëndësinë që ka siguria në rrugë.

“Duke shpallur të hapur këtë manifestim, jam i sigurt që ne kemi fëmijë shumë të përgatitur, fëmijë që edhe në mënyrë figurative dhe simbolike do të mund të marrin një ditë komplet sigurinë në Komunën e Prishtinës, për të parë në kryeqytetin tonë fotografi çfarë shohim në Berlin, Vienë, Paris, Londër…, ku shpesh sigurinë në komunikacion dhe përgjegjësitë për trafik i marrin fëmijë shumë të vegjël, qoftë në asistim me policinë, qoftë edhe vet”, u shpreh ministri Bajrami.

Kampanja “Siguria në rrugë” organizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Kolegjin Tempulli. Fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta të përzgjedhura nga MAShT-i përveç aktiviteteve të tjera dhe testit, të cilit i janë nënshtruar paraprakisht, do të garojnë edhe me biçikleta, për të kërkuar më shumë siguri dhe respektim gjatë lëvizjes së tyre dhe ngasjes së biçikletave.

Last modified: 29 Gusht, 2022