Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami është takuar në Tiranë me ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, me të cilën ka diskutuar për aspektet përmbajtësore të Udhëzimit Administrativ lidhur me njohjen reciproke të diplomave për studentët, të cilët përfundojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë privat në Kosovë dhe Shqipëri.
Ministri Bajrami me këtë rast ka vlerësuar lartë bashkëpunimin ndërministrorë, sa i përket çështjes së njohjes së diplomave, proces ky i cili do të konkretizohet edhe me rregullimin e anës legjislative.
“Ministria e Arsimit e Kosovës është në fund të procesit dhe së shpejti do të miratojë Udhëzimin Administrativ për njohjen e diplomave për studentët kosovarë, që mbarojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë privat në Shqipëri”, ka theksuar ministri Bajrami.
Ndërsa, ministrja e Arsimit e Shqipërisë, znj. Nikolla ka thënë se me ministrin Bajrami është zhvilluar një proces diskutimesh konstruktive, në rrugën e bashkëpunimit dhe koordinimit të punëve, në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të jenë së bashku në rrugën e integrimit të arsimit të lartë në hapësirën evropiane.
“Ne jemi bashkë për të mundësuar në një kohë shumë të shpejtë procesin e njohjes së diplomave, duke ofruar jo vetëm siguri në verifikimin e çdo diplome që është lëshuar nga institucionet tona të arsimit të lartë, por duke qartësuar edhe situatën për ato 18 institucione private që u mbyllën”, ka thënë ministrja Nikolla.
Ministria e Arsimit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë përveç procesit të njohjes së diplomave, po vazhdojnë bashkëpunimin edhe në çështjen e kurrikulave të përbashkëta, teksteve shkollore dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me arsimin.
Last modified: 30 Gusht, 2022