Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, z. Sebastian Kurc dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Gernot Pfandler vizituan Shkollën e Mesme Bujqësore “Abdyl Frashëri”, në Prishtinë, ku biseduan me nxënësit, rreth perspektivës së drejtimeve të cilat ofrohen në këtë shkollë dhe ambicieve të tyre, për zhvillimin e degëve të bujqësisë në të ardhmen.
Ministri austriak Sebastian Kurc, vizitën në Shkollën e Mesme Bujqësore e ka realizuar në kuadër të vizitës që ai sot po bënë në Kosovë.
Ministri Bajrami, falënderoi Qeverinë e Austrisë për ndihmën që ka dhënë në vazhdimësi për sektorin e arsimit, sidomos në arsimin profesional, ndërsa theksoi se orientimi i Qeverisë së Kosovës në këtë segment të arsimit është sistemi dual i arsimit, i cili siguron njerëz kompetent që mund të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Ministri Bajrami ka ripërsritur se, në kuadër të angazhimeve që po bëhen në përmirësimin e cilësisë në arsim, reformimi i arsimit profesional është prioritet.
Ministri Bajrami tha se të rinjtë tanimë duhet të orientohen drejt shkathtësive të profesionit, sepse kjo është edhe mundësi e shpejtë për t’u kyqur në tregun e punës.
“Do të punojmë që të rinjtë sa më shumë të orientohen kah shkollat profesionale, në mënyrë që krahas arsimimit cilësor të sigurojmë edhe punësim. Në këtë shkollë zhvillohet edhe mësimi praktik dhe si ministri po punojmë që të sigurojmë pjesën praktike të mësimit në kompanitë tona”, theksoi ministri Bajrami.
Ndërsa, ministri Kurc është zotuar se, Qeveria e Austrisë do të ndihmojë Kosovën në reformimin e sektorit të arsimit profesional dhe harmonizimin me nevojat e tregut të punës, si parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministri Kurc po ashtu ka thënë se Austria do të mbështes Kosovën në përfitimin e fondeve të Bashkimit Evropian për zhvillimin e mëtutjeshëm të arsimit.
Last modified: 30 Gusht, 2022