Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe Ambasadori Amerikan në Kosovë, z. Greg Delawie, kanë nënshkruar sot Memorandumin e Mirëkuptimit për zhvillimin e Programit Fulbright, i cili financon shkëmbimin akademik, përkatësisht bursa studimore për studentët nga Republika e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm personalitete të larta publike të vendit, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, kryeministrin e Kosovës, ministra të Kabinetit Qeveritar, rektorë të universiteteve publike të Kosovës, si dhe profesorë e studentë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami theksoi se Programi Fulbright ofron mundësi të shkëlqyeshme për shkëmbim akademik për të rinjtë, në drejtim të përgatitjes së një gjenerate të re, e cila do të jetë bartëse e tanzicionit dhe transformit demokratik.
“Falënderojmë Qeverinë Amerikane, e cila po investon në edukim, sepse edukimi është çelësi i suksesit për shoqërinë tonë”, tha Ministri dhe në veçanti falënderoi ndihmës sekretaren e Shtetit për Edukim, znj. Evan Ryan për telegramin e urimit që ka dërguar me rastin e nënshkrimit të Memorandumit.
Pasi që përmendi edhe Programin për Transformimin e Lidershipit, përmes të cilit më shumë se 180 studentë nga Kosova kanë pasur fatin të studiojnë në universitetet më të mira të ShBA-ve, ministri Bajrami tha se MAShT do të ofrojë mbështetjen e plotë që të punojmë me të gjitha forcat për një arsim konkurrent, i cili do të mundësojë zhvillimin ekonomik dhe do të përgatisë një gjeneratë, e cila do të marrë përsipër zhvillimin e Kosovës.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe Kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa theksuan rëndësinë e kësaj mundësie të veçantë që po i ofrohet Kosovës dhe falënderuan Qeverinë Amerikane për të gjithë atë që po bëjnë në ngritjen e infrastrukturës arsimore dhe ekonomike të vendit tonë.
Kënaqësinë për nënshkrimin e këtij Memorandumi të rëndësishëm për zhvillimin e Programit për 5 vitet e ardhshme, e shprehu edhe Ambasadori Amerikan në Kosovë, z. Greg Delawie.
Programi Fulbright është themeluar nga senatori William Fulbright në vitin 1945. Prej kësaj kohe, nga ky Program, kanë përfituar më shumë se 360 mijë studiues nga ShBA-të dhe nga e gjithë bota. Në Kosovë, Programi Fulbight (i cili kosiderohet si programi më me ndikim në botë), ka filluar në vitin 2009 dhe deri më tani kanë përfituar 84 studiues kosovarë.
Last modified: 29 Gusht, 2022