Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, është takuar sot me kryetarë të komunave, drejtorë komunal të arsimit dhe drejtorë të shkollave të mesme të larta të Kosovës, me të cilët ka biseduar për administrimin e Provimit Shtetëror të Maturës, pjesa e parë e të cilit do të mbahet më 6 qershor dhe pjesa e dytë për 20 qershor 2015 (afati i parë).
Me këtë rast, ministri Bajrami tha se Matura Shtetërore paraqet një provim të pjekurisë së nxënësve tonë dhe kërkon nga të gjithë që të angazhohemi që ky proces të kalojë me një administrim të mirë dhe të mundësohet një vlerësim profesional, i pavarur, i suksesit të nxënësve. “Jemi të sigurtë se kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe të gjithë jemi të gatshëm të veprojmë si një ekip, që ky proces të zhvillohet sa më mirë dhe të nxirret një rezultat real”.
Tani, theksoi ministri, po ofrohet dita kryesore për maturantët tanë, dita e shtunë, kur ne duhet ta japim provimin e etikës, të kodit të sjelljes, provimin e pjekurisë tonë si shtet për të organizuar një test për 33 mijë maturantë, të cilët kanë një ditë historike, sepse atë ditë ata do të marrin një vendim të rëndësishëm për karierën e tyre: ose do të orientohen drejt edukimit profesional dhe punësimit më të shpejtë, ose do t’iu drejtohen universiteteve drejt karierës akademike.
Prandaj, ministri Bajrami, kërkoi nga kryetarët e komunave dhe drejtorët e DKA-ve që të shmangin cilëndo tendencë të ndikimit te Provimi i Maturës. “Nuk i bëjmë shërbim të mirë nxënësve tanë nëse ju japim rezultat të pamerituar”, u shpreh ai, ndërsa tha se përveç nxënësve, rezultatin real duan ta dinë edhe familjet dhe prindërit.
Ministri Bajrami dhe u shpreh i sigurt se rezultati nga ky test do të jetë i kënaqshëm nga ajo që ka parë gjatë vizitës në shumë shkolla. Ai theksoi se Testi do të na mundësojë të shohim gjendjen reale të arsimit dhe siguroi të pranishmit se do të reflektojë si ministër karshi rezultatit të maturës me politika publike.
Duke i ftuar të gjithë akterët për realizimin e këtij procesi të vlerësimit me standarde ndërkombëtare, ministri Bajrami i falënderoi ata edhe për për punën e tyre në mbarëvajtjen e Testit Ndërkombëtar PISA dhe Testit të Arritshmërisë.
Provimi i Maturës këtë vit mbahet në ambiente të mbyllura, në klasë, duke i ndarë paralelet deri në 15 nxënës. Do të administrohet nga 2500 administrues dhe 500 mbikëqyres, ndërsa për çdo 5 administrues do të ketë një monitorues.
Do të jenë gjithsej 250 qendra të testimit, kryetarët e të cilave do të jenë nga MAShT dhe universitetet publike. Për sigurimin e ambientit do të kujdeset Policia e Kosovës.
Last modified: 29 Gusht, 2022