Ministri Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami mori pjesë në tryezën e rrumbullakët: “Ndërtimi i Sinergjive në mes të Institucioneve Akademike dhe Sektorit Privat ”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, në të cilën u diskutua për mundësitë dhe nevojën e përshtatjes së sistemit të arsimit nevojave të tregut të punës.
Me këtë rast, Ministri Bajrami ndër tjera theksoi mangësitë në sistemin e arsimit dhe dhe tha se po bëjmë përpjeke së bashku me partnerët që të bëjmë ndryshime me fokus zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional, përkatësisht aftësimin e kuadrove me kompetenca dhe shkathtësi.
“Ne po tentojmë që i tërë sektori i arsimit të lidhet me zhvillimin ekonomik dhe në këtë aspekt kemi ndërtuar partneritet me ndërmarrjet tona dhe që shkollat e mesme profesionale të riorientohen adekuat me nevojat e tregut të punës”.
Në vazhdim ministri tha se jemi duke e zhvilluar projektin ALED ( të Bashkimit Evropian) , i cili ka dhënë rezultatet e para, sipas të cilave shtrohet nevoja për ndryshime në disa aspekte programore në arsimin dhe aftësimin profesional.
Ministri Bajrami gjithashtu theksoi se MASHT-i është angazhuar që të përfitoj nga modelet e vendeve të zhvilluara siç është Gjermania dhe vendet skandinave që të kemi një sistem të përparuar dual të arsimit, adekuat me nevojat e Kosovës.
Ndërsa sa i përket Arsimit të Lartë Ministri i Arsimit theksoi se në këtë sektor gjithashtu është e nevojshme të bëhet profilizimi i fakulteteve që të kemi sa më shumë kuadro në fushat e shkencave natyrore, teknologjisë informative etj.
Last modified: 26 Gusht, 2022