MASHT

Ministret Nagavci dhe Manastirliu morën pjesë në Seminarin e XVII-të mbarëkombëtar me mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë

19 Korrik, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, kanë marrë pjesë në ditën e dytë të Seminarit të XVII-të mbarëkombëtar me mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në fjalën e saj të rastit tha se, ky është viti i tretë me radhë, që së bashku me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë bëjmë organizimin e këtij Seminari i cili është rezultat i punës së përbashkët mes Ministrive tona të Arsimit në Kosovë dhe Shqipëri.

Nagavci tha se, rivënia në fokus e gjuhës amtare dhe gjetja e mënyrave të reja për ta kultivuar atë tek brezi i ri i mërgatës, janë elemente që të gjithë duhet ti kemi në vëmendje.. Tutje tha se tema e diskutuar në këtë Seminar ka rëndësi të madhe, sepse tregon që aktualiteti po udhëheq praktikat e mësimit të gjuhës, për t’ia përshtatur ato realitetit në të cilin jetojmë.

Ndër të tjera, Nagavci tha se, ndërthurja e mësimit të gjuhës shqipe me aspekte kulturore, tradicionale dhe historike të kombit tonë, janë një metodë e mrekullueshme e mësimit tërheqës dhe efektiv të gjuhës shqipe jashtë trevave shqiptare, si dhe të gjitha këto tema të zgjedhura, na shërbejnë edhe neve si politikbërës, sepse na tregojnë qartë trendet e kohës dhe nevojat reale që kanë shqiptarët jashtë vendit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu theksoi se, të gjithë mësuesit e mbledhur në këtë Seminar janë përbashkuar me një qëllim madhor, e që është ruajtja dhe fuqizimi i gjuhës shqipe.

Manastirliu tha se mësuesit e Diasporës do të kenë mbështetjen e madhe nga dy Ministritë dhe se ky nuk do të jetë projekti i fundit por do të shtrihen edhe më tej, tek freskimi i listave të mësuesve të Diasporës.

Në këtë Seminar po marrin pjesë, të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës, si dhe është një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer përvojat dhe për të diskutuar praktikat më të mira në mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Last modified: 19 Korrik, 2024

Comments are closed.