23 Dhjetor 2021
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë vizituar sot të miturit në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, të cilët ndjekin mësimet në shkollën brenda Qendrës.
Ministrja theksoi se ne të gjithë duhet të përpiqemi që këta të mitur të kenë një trajtim sipas kërkesave dhe standardeve që iu garantohen me Konventat ndërkombëtare, por edhe me ligjet në Kosovë.
Duke qenë se një e drejtë elementare e tyre është edhe arsimimi, ministrja Nagavci theksoi se është e kënaqur që këta të mitur e ndjekin mësimin fillor, të mesëm të ulët dhe atë të mesmë të lartë, por edhe studimet universitare. Ajo theksoi se kjo është mënyra më e mirë që ata të kenë të ardhme më të mirë pasi që të dalin nga Qendra.
Ministrja premtoi angazhim që të krijohen kushte sa më të mira që të miturve që biejnë ndesh me ligjin, t’iu ofrohet arsim cilësor. Me urimet për jetë më të mirë, Ministrja iu ka dhuruar nxënësve brenda qendrës mjete mësimore, me rastin e festave të fundvitit.
Ndërsa, ministrja Albulena Haxhiu tha se, i është bashkuar kësaj vizite në Qendrën Korrektuese më qëllimin që brenda kësaj kohe të mund të adresohen çështjet që janë me interes për të dy ministritë, në mënyrë që fëmijët që janë brenda Qendrës të mos humbin asgjë nga pjesa e edukimit, por edhe që të ketë një bashkërendim institucional për riintegrim të të miturve në shoqëri.
Në shkollën brenda Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan aktualisht ndjekin mësimet 24 nxënës, prej të cilëve 8 vijojnë mësimet në shkollën e mesme të ulët (kl. 6-9) dhe 16 ndjekin mësimet në shkollën e mesme të lartë (kl. 10 -12). Përveç tyre, janë edhe 3 të mitur, të cilët i ndjekin studimet universitare.
Last modified: 6 Qershor, 2022