MASHT

MINISTRET NAGAVCI DHE HAXHIU BISEDUAN ME NXËNËSIT PËR VETËDIJËSIMIN NDAJ DHUNËS NË FAMILJE

1 Dhjetor, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të shoqëruara nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rrahimaj kanë qëndruar në shkollën “Xhavit Ahmeti” në Hodonoc të Kamenicës, ku kanë biseduar me nxënësit për vetëdijësimin ndaj dhunës në familje.

 Kjo vizitë është bërë në kuadër të aktiviteteve me të cilat po shënohet fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje”.

Me këtë rast, ministrja Nagavci ka theksuar rolin e madh që kanë institucionet arsimore në edukimin e gjeneratave për luftimin e çdo padrejtësie që i bëhet secilit në familje, në shkollë apo kudo tjetër.

Ministrja Nagavci ftoi nxënësit që të raportojnë dhunën, ndërsa theksoi se asnjë formë e dhunës nuk duhet të tolerohet. Po ashtu foli për rolin e madh që ka përgatitja arsimore për të qenë të pavarur ekonomikisht, faktor ky që i bën më të fuqishëm edhe në jetë.

Ministrja Nagavci ndër të tjera tha se, MAShTI ka një varg protokolesh e mekanizmash për mbrojtjen e fëmijëve, megjithatë theksoi se shkollat po ashtu kanë përgjegjësi për të ofruar ambiente të sigurta për fëmijët tanë.

Ndërsa, ministrja Haxhiu tha se çdo ditë e jona duhet të jetë ditë e angazhimit në luftimin e dhunës, dukuri kjo që po e rëndon shoqërinë tonë.

Last modified: 1 Dhjetor, 2022