MASHT

Ministrat Bajrami dhe Yagcilar nënshkruan Memorandum për bartjen e fondeve të projekteve kapitale për objektet arsimore

30 Janar, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami dhe Ministri i Administratës Publike, z. Mahir Yagcilar, kanë nënshkruar sot Memorandumin e Mirëkuptimit për bartjen e fondeve të gjitha projekteve kapitale për ndërtimin/renovimin e objekteve arsimore dhe aftësuese nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) në Ministrinë e Administratës Publike (MAP).

Bartja e fondeve për të gjitha projektet kapitale për ndërtimin/renovimin e objekteve arsimore dhe aftësuese nga MAShT në MAP është bërë për vitin 2015, për vitin 2016 dhe vitin 2017.

Bartja e këtyre projekteve në MAP ka për qëllim realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të tyre, duke pasur parasysh kompetencat dhe përgjegjësitë e MAP lidhur me administrimin e objekteve të institucioneve publike.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë mbetet e përkushtuar për realizimin e projekteve zhvillimore për cilësi në arsim. 

MAShT do të vazhdojë të miratojë investimet kapitale për ndërtimin dhe renovimin e objekteve të financuara nga Buxheti i Kosovës dhe donatorët, por tani e tutje realizimi i projekteve të tilla do të bëhet nga MAP.

Në përputhje me Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, MAShT do angazhohet të hartojë dhe monitorojë zbatimin e politikave, standardeve dhe normave për hapësirën shkollore, si dhe ofrimin e ndihmës teknike për planifikimin dhe dizajnimin e objekteve arsimore dhe aftësuese.

Last modified: 30 Gusht, 2022