MASHT

Me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, ministri Bajrami vizitoi shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë

5 Janar, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, i shoqëruar nga drejtoresha për Arsim në Komunën e Prishtinës, znj. Arbërie Nagavci, vizituan shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Qëllimi i kësaj vizite ishte për të parë nga afër fillimin e procesit mësimor për gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2014-2015.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, z. Arsim Bajrami, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle dhe të gjithë Kosovës për fillim të mbarë të gjysmëvjetorit, duke ju dëshiruar shëndet dhe suksese në mësimdhënie e mësimnxënie.

“Kemi zgjedhur shkollën “Ismail Qemali”, që në mynyrë simbolike t`ju urojmë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve të Republikës së Kosovës dhe t`ju dëshirojmë një gjysmëvjetor sa më të suksesshëm”, tha ministri Bajrami.

Ne, të gjithë së bashku, theksoi ministri Bajrami, do të punojmë që të kemi një shkollë sa më moderne, në mënyrë që nxënësit jo vetëm të mësojnë, por edhe të argëtohen, të përgatiten për sfidat jetësore dhe të aftësohen që një ditë të jenë bartës të proceseve. “Investimi në shkolla, në arsimimin e të rinjve, është investimi më i mirë që mund të bëhet në periudhën pas pavarësisë”, tha ministri Bajrami.

Në fund, ministri Bajrami njoftoi se, mësimi i ka filluar me rregull në të gjitha shkollat e Kosovës, ashtu siç është e planifikuar me kalendarin e vitit shkollor, me përjashtim të disa problemeve teknike në Malishevë dhe Shalë, probleme të cilat do të evitohen gjatë ditës.

Ndërkaq, drejtoresha e DKA-së në Prishtinë znj. Arbërie Nagavci njoftoi se mësimi ka filluar me kohë në të gjitha shkollat e kryeqytetit dhe se në koordinim me MAShT-in do të angazhohen që të ketë rezultate të mira në fund të vitit shkollor.

Last modified: 30 Gusht, 2022