MASHT

Me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, ministri Bajrami vizitoi shkollën “Model”

7 Mars, 2017

Me rastin e shënimit të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami me bashkëpunëtorë ka vizituar sh.f.m.u. “MODEL” në Prishtinë, ku edhe ka përcjell mesazhin e urimit për të gjithë mësimdhënësit e Republikës së Kosovës, duke vlerësuar lartë rolin dhe kontributin e tyre në edukimin e gjeneratave, në periudha të ndryshme.

Ministri Bajrami me këtë rast ka thënë se, MAShT do të ofrojë mbështetje për secilin mësimdhënës, në mënyrë që të avancohen edhe më tej dhe në bazë të performancës në punë edhe të stimulohen me paga më të larta.

Duke folur për rëndësinë e shënimit të kësaj feste, ministri Bajrami theksoi se, të gjithë mësimdhënësit e Kosovës duhet të jenë të përkushtuar në ofrimin e edukimit cilësor për nxënësit tanë.

“Dita e Mësuesit, sa është një moment i kujtesës për rolin dhe sakrificën që kanë dhënë mësimdhënësit në edukimin e brezave të rinjë, aq edhe një moment i mobilizimit për ne mësimdhënësit, për të punuar me shumë dashuri me nxënësit tanë. Më gëzon fakti se fëmijët më thanë që e duan mësuesen e tyre, po aq sa edhe prindërit e tyre sepse mësimdhënësi është edhe prind dhe kujdestar i fëmijëve ”, u shpreh Ministri.



Ministri Bajrami foli edhe për kushtet moderne të mësimdhënies të cilat ofrohen në shkollën “Model” të kryeqytetit, ndërkaq shtoi se, MAShT është duke punuar që jo vetëm kjo shkollë, por të gjitha shkollat e Kosovës të ofrojnë ngrohtësi dhe kushte moderne për nxënësit. 

Last modified: 26 Gusht, 2022