Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), e përfaqësuar nga drejtori i Departamentit te Arsimit Profesional, Lah Nitaj, mori pjesë si partner zyrtar në projektin ndërkombëtar ALLIANCE – Advancing Learning and Linking Institutions for EU Projects and Networking Cooperation, të financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit Erasmus+ KA2 për Ndërtimin e Kapaciteteve në Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AAP).
Ky projekt trevjeçar (2025–2027), me vlerë totale 399,542.28 euro, ka për qëllim krijimin dhe funksionalizimin e Zyrave për Projekte dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në institucione të arsimit dhe afësimit profesional në Kosovë dhe Shqipëri, me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve për menaxhimin e mobiliteteve, zhvillimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe fuqizimin e rrjeteve për bashkëpunim profesional.
Përmes këtij projekti do të mbështeten aktivitetet e ndërkombëtarizimit në shkollat profesionale në Kosovë, përfshirë pilotimin dhe koordinimin e zbatimit të zyrave ndërkombëtare në bashkëpunim me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë.
Objektivat kryesore të projektit përfshijnë:
- Themelimin e Zyrave Ndërkombëtare në shkollat e AAP për të përmirësuar planifikimin dhe zbatimin e mobiliteteve;
- Ndërtimin e kapaciteteve të stafit për menaxhimin e projekteve, kërkimin shkencor dhe rrjetëzimin ndërkombëtar;
- Shkëmbimin e përvojave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë;
- Rritjen e tërheqjes ndërkombëtare të institucioneve AAP dhe përfshirjen në rrjete evropiane;
- Zhvillimin e trajnimeve përmes platformave digjitale dhe metodologjive bashkëkohore për stafin dhe nxënësit e AAP.
Last modified: 13 Maj, 2025