MASHT

MAShTI organizoi aktivitetin vetëdijësues në kuadër të muajit sensibilizues për kancerin e gjirit

21 Tetor, 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci morën pjesë në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me OJQ “Jeta-Vita”, në kuadër të muajit sensibilizues për kancerin e gjirit.

Kryeministri Albin Kurti me këtë rast ka thënë se, Qeveria e Kosovës është kujdesur për trajtimin e kësaj sëmundje, duke ofruar falas mamografitë dhe kushte tjera për trajtimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

“Ne jemi vetë përgjegjës për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj shëndetit, sidomos vajzat dhe gratë. Kjo sëmundje kërkon kujdes më të shtuar. Tashmë kanceri i gjirit është një nga kanceret me të trajtueshme”, tha mes tjerash Kurti.

Ministrja Nagavci në fjalën e sa theksoi rëndësinë e padiskutueshme që ka kujdesi për veten, duke thënë se fatmirësisht sot kemi mundësi të shtuara për kontroll, detektim, parandalim dhe trajtim të suksesshëm të kancerit të gjirit.

Nagavci tha se, shkollat janë forume themelore ku zhvillohet ndërgjegjësimi për shëndetin në tërësi dhe gjatë këtij mandati është punuar në disa fronte njëkohësisht, duke ndërmarrë veprime konkrete që synojnë edukimin e shëndetshëm në tërësi.

Ministrja Nagavci bëri të ditur se, në kuadër të këtij përkushtimi është zbatuar Programi Shkollat Promovuese të Shëndetit me moton “Shëndet për të gjithë”, janë zhvilluar trajnime me mësimdhënës, ku janë mbajtur ligjërata edhe për shëndetin mendor si pjesë e rëndësishme e shëndetit në tërësi, janë promovuar doracakë ndihmës dhe video-materiale për shëndetin seksual dhe për parandalimin e dhunës seksuale në shkolla, janë organizuar ligjërata rreth rreziqeve nga substancat narkotike etj.

Në fund, Nagavci tha se puna jonë si institucione është të krijojmë kushtet e duhura që secili qytetar të jetojë shëndetshëm, ndërsa shtoi se dyert i keni gjithnjë hapur për çdo mbështetje që kemi mundësi të ofrojmë.

Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës “Jeta-Vita” u bëri thirrje pjesëmarrësve që të kenë kujdes për shëndetin e tyre dhe të familjarëve, pasi vetëm kujdesi i hershëm është mbijetesë.

Last modified: 22 Tetor, 2024