Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Teach for Kosova (TFK) kanë nënshkruar sot zotim bashkëpunimi për rekrutimin e të rinjëve të diplomuar nga Kosova dhe Diaspora në arsimin parauniversitar, me qëllim të krijimit të një ambienti edukativo-arsimor sa më gjithëpërfshirës dhe cilësor për të gjithë fëmijët në Kosovë.
Zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku Bërdyna me këtë rast ka falënderuar zv/ministren Liza Gashi dhe drejtorin ekzekutiv të TFK, Egzon Gashi për partneritetin e ofruar në zhvillimin e cilësisë së sistemit arsimor të Kosovës.
Ajo theksoi se, Ministria e Arsimit e mirëpret këtë bashkëpunim, me qëllim të krijimit të mundësive të barabarta për zhvillimin dhe aftësimin e të rinjëve në arsimin parauniversitar.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi e vlerësoi nënshkrimin e këtij dokumenti, ndërsa theksoi se MPJD do të angazhohet për ta bërë sa më të lehtë rekrutimin e të rinjëve të interesuar nga Diaspora.
Drejtori ekzekutiv i Teach For Kosova, Egzon Gashi nga ana e tij tha se TFK do të angazhojë individë të jashtëzakonshëm, të cilët do të sjellin ndryshim pozitiv në shkollat e Kosovës, duke e formësuar të ardhmen e nxënësve.
Ndryshe, Teach for Kosova, sipas zotimit të nënshkruar do të rekrutojë dhe do të trajnojë të rinj të diplomuar me arritje të larta akademike, individë të përkushtuar, si dhe kompetentë për të dhënë mësim për një periudhë dyvjeçare në arsimin parauniversitar, në përputhje me nevojat dhe mungesat e kuadrove në Drejtoritë Komunale të Arsimit.
Ky zotim bashkëpunimi mes MAShTI, MPJD dhe TFK do të konkretizohet mëtutje përmes një Mermorandumi të Mirëkuptimit, i cili do të përcaktojë hapat, detyrat dhe kontibutin e secilës palë për një zabtim sa më të suksesshëm të objektivave të këtij bashkëpunimi.
Last modified: 6 Tetor, 2022