Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me projektin KosEd, ka nisur një seri takimesh regjionale me qëllim prezantimin e Rregullores për procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të drejtorëve, zëvendësdrejtorëve, mësimdhënësve dhe personelit tjetër arsimor në institucionet publike edukativo-arsimore parauniversitare.
Qëllimi i këtyre takimeve është të ofrohen udhëzime dhe sqarime për DKA-të dhe për komisionet përzgjedhëse, duke u fokusuar në zbatimin e Rregullores dhe përdorimin e formularëve e udhëzuesve për rekrutimin e transparent dhe efikas të personelit.
U.D. drejtori i arsimit parauniversitar, Avni Rexha, theksoi rëndësinë e madhe që ka kjo Rregullore për sistemin arsimor në Kosovë. Ai vuri në pah se Rregullorja është një hap kyç drejt përmirësimit të procesit të rekrutimit në institucionet edukativo-arsimore, duke siguruar që të përzgjidhen individët më të kualifikuar për pozitat udhëheqëse dhe mësimore.
“Kjo Rregullore synon të sigurojë një qasje më transparente, të drejtë dhe efikase në rekrutim, duke u mundësuar shkollave dhe komunave të kenë më shumë fleksibilitet për të përmbushur nevojat e tyre në kohë reale”, ka thënë u.d. drejtori Rexha.
Ndër të tjera, ai theksoi se, përmes kësaj Rregulloreje, synohet gjithashtu të rritet cilësia e arsimit, duke sjellë në sistem mësimdhënës dhe udhëheqës që janë më të përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave dhe kërkesave në nivel të klasës dhe shkollës.
Drilon Krasniqi, ekspert i projektit KosEd, theksoi përkrahjen e rëndësishme që projekti KosEd ka ofruar gjatë hartimit dhe zbatimit të Rregullores së re. Ai shpjegoi se ekspertët e KosEd kanë bashkëpunuar ngushtë me MASHTI-n për të hartuar udhëzuesit dhe formularët që do të përdoren nga komisionet përzgjedhëse, duke siguruar që procesi i rekrutimit të jetë sa më i lehtë dhe i qartë për të gjithë pjesëmarrësit.
“Kjo përkrahje ka për qëllim të sigurojë që zbatimi i rregullores të jetë i unifikuar në të gjitha komunat dhe institucionet arsimore, duke i pajisur ato me mjetet e nevojshme për të përzgjedhur personelin më të kualifikuar dhe për të garantuar një rekrutim të drejtë dhe transparent”, ka theksuar Krasniqi.
Rezultatet e pritura nga zbatimi i kësaj Rregulloreje përfshijnë një sistem më të përgjegjshëm dhe më efikas të rekrutimit, me përfitime si, krijimi i listave të pritjes për mësimdhënësit e përzgjedhur, mundësia për rekrutime të përkohshme të personelit të kualifikuar dhe zëvendësimet e shpejta për mësimdhënësit që mungojnë për arsye të justifikuara.
Last modified: 22 Tetor, 2024