MASHT

MASHTI DHE MKRS DO TË MBËSHTESIN ORGANIZIMIN E KAMPIONATIT BOTËROR UNIVERSITAR NË HENDBOLL

26 Gusht, 2021

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetarja e Federatës së Sporteve Universitare, Diellza Kelmendi, nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi për organizimin e Kampionatit Botëror Universitar në Hendboll për vitin 2021 dhe 2022, i cili për herë të parë do të mbahet në Kosovë.

Përmes këtij Memorandumi, MAShTI, ndër të tjera, ka marrë përgjegjësinë që të sigurojë hapësirë ​​të mjaftueshme për akomodimin e rreth 500 sportistëve në Qendrën e Studentëve, si dhe të sigurojë Palestrën Sportive “1 Tetori” me të gjitha lokalet përcjellëse ​​të përshtatshme.

Po ashtu, Ministria ka marrë obligim të sigurojë shërbime funksionale përmes Menzës së Studentëve për ushqim për të gjithë pjesëmarrësit në Kampionatin Botëror Universitar në Hendboll, e po ashtu të sigurojë edhe akomodim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve për 250 vullnetarë të angazhuar në Kampionat.

Ministrja Nagavci dhe ministri Çeku theksuan rëndësinë që ka për promovimin e vendit tonë në botë organizimi i një ngjarje të tillë, ku pritet të marrin pjesë 32 shtete me nga 20 garues.

Ministrja Nagavci shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe në aktivitete të tjera që promovojnë Kosovën përmes sportit universitar dhe atij shkollor, pasi që theksoi se tashmë Kosova ka dëshmuar se mund të ketë suksese të jashtëzakonshme në sporte.

Kryetarja e Federatës së Sporteve Universitare, Diellza Kelmendi falënderoi ministren Nagavci dhe ministrin Çeku për bashkëpunim dhe theksoi se organizimi i mirë i këtij kampionati na ndihmon në shumë rrafshe, veçanërisht në diplomacinë sportive.

Last modified: 7 Qershor, 2022