MASHT

MASHTI DHE KORPUSI I PAQES NËNSHKRUAN MEMORANDUM MIRËKUPTIMI

31 Maj, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe drejtoresha botërore e Korpusit të Paqes, Carol Spahn, me rastin e shënimit të dhjetë vjetorit të themelimit të Korpusit të Paqes në Kosovë, kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi.

Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është të promovojë bashkëpunimin në fushën e arsimit, përmirësimin e infrastrukturës shkollore, inovacionin në arsim dhe promovimin e shkencës dhe teknologjisë.

Ministrja Nagavci ka shprehur mirënjohjen e saj si ministre e Arsimit, për Korpusin e Paqes, duke theksuar mbështetjen e ofruar që nga viti 2014, me ardhjen e vullnetarëve të parë, që jo vetëm kontribuan duke u mësuar nxënësve tanë gjuhën angleze, por gjithashtu edhe për përfitimet në aspektin e shkëmbimeve kulturore.

Ministrja Nagavci, rikujtoi se, Korpusi i Paqes ishte themeluar nga ish-presidenti amerikan, John Kennedy, në vitin 1961, që vlerësohet të jetë një prej ngjarjeve më të shënuara të presidencës së tij,  ndërsa vullnetarët e Korpusit të Paqes tha se janë humanistët e kohëve moderne.

Ministrja Nagavci bëri të ditur se, MAShTI ka vënë në theks të veçantë përmirësimin tek përgatitja e nxënësve për jetë, si individë mendje hapur, krah për krah me moshatarët e tyre në botë, gjë e cila është e theksuar edhe në Strategjinë e re të Arsimit 2022-2026.

Ndër të tjera, Nagavci tha se, roli i vullnetarëve dhe i programit të Korpusit të Paqes është në linjë të drejtpërdrejtë me politikat e MAShTI, meqenëse ofron mbështetje për mësuesit tanë gjatë mësimit në klasë, duke shtuar njëkohësisht edhe ndarjen e praktikave më të mira nga sistemi arsimor amerikan.

Në fund, ministrja Nagavci ftoi të gjitha shkollat në Kosovë që të përfitojnë nga mundësia e bashkëpunimit me vullnetarët amerikanë, duke aplikuar për të marrë pjesë në këtë program.

Ministrja Nagavci së bashku me drejtoreshën e Korpusit të Paqes, Carol Spahn ndanë shpërblimet për partnerët e Korpusit të Paqes (individë që kanë kontribuar vullnetarisht në programet e Korpusit).

Në këtë ceremoni fjalë rasti mbajtën edhe ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe e ngarkuara me punë në misionin e Korpusit të Paqes, Alyson Grunder.

Last modified: 31 Maj, 2024