07 Tetor 2021
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe DVV International në Kosovë (Institut für Internationale Zusammenarbeit des Deutschen Volkshochschul-Verbandes) nënshkruan Marrëveshje Mirëkuptimi me qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të Arsimit dhe Aftësimit për të Rritur (AARr) dhe komponentës së mësimit gjatë gjithë jetës në Republikën e Kosovës.
Ministrja Nagavci falënderoi përfaqësuesin e DVV International në Kosovë për gatishmërinë e shprehur për të mbështetur sigurimin e cilësisë në sektorin e Arsimit dhe Aftësimit për të Rritur.
Nagavci po ashtu shprehu gatishmërinë e saj për zbatimin e pikave të kësaj Mërreveshjeje dhe forcimin e partneritetit me DVV International Kosova. Ajo tha se pret rezultate konkrete përtej nënshkrimit të Marrëveshjes.
Ramadan Alija, drejtor ekzekutiv i DVV International në Kosovë theksoi rëndësinë e zhvillimit të këtij segmenti të Arsimit dhe Aftësimit Profesional, ndërsa vlerësoi gatishmërinë e MAShTI-t për të bashkëpunuar.
Ndryshe, Marrëveshja paraqet përkushtimin e ndërsjellë për të bashkëpunuar dhe për të ndërtuar partneritet në mes të MASHTI dhe DVV International për implementimin e Projektit “Profesionalizimi i sektorit të Arsimit dhe Aftësimit për të Rritur (AARr) në Kosovë” duke krijuar politika të reja arsimore për AARr, forcimin e rrjeteve partnere, sigurimin e cilësisë në AARr dhe hapjen e së paku dy qendrave të reja për AARr të bazuar në modelin e shkollave popullore gjermane (VHS), duke i adaptuar në kontekstin e Kosovës.
Last modified: 7 Qershor, 2022