Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe zyrtarë të MAShTI kanë mbajtur takimin e rregullt me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ku është diskutuar rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2024/25, vendimin për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve mësimore për nivelin 1-9, miratimin e rregullores për procedurën e përzgjedhjes së stafit arsimor dhe udhëzuesit e vlerësimit, lansimin e platformës për aplikimin e mësimdhënësve për licencim dhe çështje të tjera, të cilat ndërlidhen me fillimin e vitit shkollor.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka falënderuar përfaqësuesit e DKA-ve për përgatitjet dhe bashkëpunimin sa i përket mbarëvajtjes së procesit për fillimin e vitit shkollor, ndërsa ka bërë të ditur se MAShTI është drejt finalizimit të dokumenteve të cilat eliminojnë zbrazëtitë ligjore në arsimin parauniversitar.
Sa i përket kalendarit të vitit shkollor, ministrja Nagavci i ka ftuar DKA-të që ta ndajnë me të gjitha palët e interesit, në mënyrë që kalendari i miratuar të jetë sa më i përshtatshëm.
Në takim, ministrja Nagavci ka bërë të ditur se edhe këtë vit shkollor, mënyra e furnizimit të nxënësve me tekstet shkollore do të bëhet përmes subvencionimit të prindërve për blerjen e tyre, ndërsa i ka ftuar DKA-të që të publikojnë listat e teksteve të cilat i kanë përzgjedhur mësimdhënënsit, në mënyrë që prindërit të jenë të informuar dhe blerja e tyre të fillojë me kohë.
Ministrja Nagavci po ashtu ka folur edhe për miratimin e Rregullores për pranimin e stafit në institucionet edukativo-arsimore, e cila do të lehtësojë punën e rekrutimit të stafit, si dhe finalizimin e Udhëzimit Administrativ për Edukimin e Fëmijërinë e Hershme.
Zëvendësdrejtori i Arsimit Parauniversitar, Avni Rexha ka thënë se edhe këtë vit është përgatitur legjislacioni sekondar, i cili mundëson zbatimin e politikave arsimore.
Ndërsa, drejtori i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, Lah Nitaj foli për zbatimin e arsimit dual për të tretin vit me radhë dhe hapjen e konkursit për bursa për profilet deficitare i cili do të bëhet publik në muajin shtator.
Last modified: 14 Gusht, 2024