Zyrtarë të lartë të MASHTI dhe drejtorë të Drejtorive Komunale të Arsimit kanë diskutuar për politikat e reja të Ministrisë dhe për nevojën e bashkëpunimit të shtuar për implementimin e këtyre politikave që qojnë në përmirësimin e cilësisë në arsim.
Në këtë takim, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ftoi drejtorët komunalë që të japin kontributin e tyre me komente në draftrregulloren për procedurat e përzgjedhjes dhe emërtimit të drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, mësimimdhënësve, bashkëpunëtorëve profesionalë, asistentëve, instruktorëve dhe personelit të shërbimeve të përbashkëta, e cila së shpejti do të dalë në diskutim publik.
Po ashtu, ministrja Nagavci përmendi edhe katër udhëzime administrative të rëndësishme për procesin arsimor, të cilat i kanë kaluar të gjitha procedurat ligjore dhe së shpejti do të hyjnë në fuqi, e për të cilat theksoi nevojën e bashkëpunimit mes Ministrisë dhe DKA-ve për implementimin e tyre.
Përgatitjet për organizimin e Testit të Arritshmërisë dhe Provimit të Maturës, regjistrimi i nxënësve në klasë të parë dhe në klasë të dhjetë, si dhe përgatitjet dhe shpërndarja e teksteve shkollore në shkolla, kanë qenë po ashtu tema të këtij takimi.
Ndërkaq, ministrja Nagavci përmendi edhe planifikimin e buxhetit për ndërtimin e çerdheve dhe tha se deri më tani 90 përqind e kërkesave të komunave të kompletuara me dokumentacionin përcjellës janë trajtuar dhe aprovuar dhe të tjerat që vijnë do të trajtohen me prioritet. Edhe në këtë takim, ministrja Nagavci ritheksoi kërkesën e saj për vëmendjen e drejtorëve komunalë dhe të gjithë akterëve të përfshirë në shkolla për të krijuar ambient të sigurtë për fëmijët brenda hapësirave shkollore.
Digjitalizimi i sistemit arsimor, si një nga pesë fushat e Planit Strategjik të Arsimit, ishte po ashtu një nga temat që u trajtuan në këtë takim, për të cilën zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi theksoi rolin e rëndësishëm që ka bashkëpunimi me Drejtoritë Komunale të Arsimit.
Last modified: 15 Qershor, 2023