MASHT

MAShT takim me DKA-të në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj

4 Prill, 2017

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar takim me drejtorët komunal të arsimit, i cili u mbajt në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj. Qëllimi i këtij takimi është promovimi i profileve të reja, si dhe sensibilizimi i nxënësve të komunave tjera për mundësitë e shkollimit që ofron kjo qendër.

Po sot u promovua profili i nivelit 5 të arsimit “Asistent për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore”, i cili do të fillojë në shtator të këtij viti. Me këtë rast, z. Alush Istogu u.d Sekretar i Përgjithshëm i MAShT, theksoi rëndësinë e zhvillimit të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë, me theks të veçantë arsimimin e të rinjve në Qendër të Kompetencës.

Ai më tutje theksoi, se qendrat e kompetencës janë të pajisura me laboratorë adekuat dhe ofrojnë mundësi të mira për përgatitje profesionale, ndërsa të rinjtë e diplomuar në këto shkolla kanë mundësi të punësimit brenda dhe jashtë vendit.


 
Në vazhdim, z. Istogu, ju bëri thirrje drejtorëve komunal të arsimit që përmes bursave apo mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit të nxënësve, të ushtrojnë ndikimin e tyre për të motivuar nxënësit nga komunat e tyre për shkollim në Qendrat e Kompetencës në Ferizaj, Prizren, Skenderaj etj,  të cilat janë të nivelit kombëtar.

Drejtorët komunalë të arsimit pas përfundimit të takimit kanë vizituar disa laboratore të kësaj shkolle, njëherësh panë demonstrimin praktik të punës së nxënësve.

Last modified: 26 Gusht, 2022