Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vizituar “Shkollën e Gjelbër” në Prishtinë, ku janë zhvilluar disa aktivitete të vajzave në fushën e teknologjisë, e cila këtë vit ishte temë kryesore e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në mbarë botën.
Dita Ndërkombëtare e Vajzave promovon trajtimin e barabartë dhe mundësitë për vajzat, në fusha të tilla, si ligji, kujdesi shëndetësor, arsimimi si dhe liria nga dhuna dhe abuzimi.
Ministri Bajrami, me këtë rast theksoi rëndësinë e përfshirjes së vajzave në profesione, të cilat ofrojnë më shumë mundësi për vajzat, për të qenë të përfshira në tregun e punës.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave po shohim që Kosova ka vajza shumë kerative, me imagjinatë të zhvilluar dhe shkathtësi të jashtëzakonshme. Një sistem cilësor i arsimit kërkon demonstrim të shkathësive praktike dhe jam i sigurtë që këto vajza na bindën që kemi rini shumë inteligjente dhe mësimdhënës të përkushtuar”, tha ministri Bajrami.
Përkujtimi i kësaj dite ndërkombëtare sjell më shumë vëmendje në jetën e vajzave dhe grave të reja si qytetare dhe zëra të fuqishëm, të ndryshimeve në familje dhe komunitet.
Last modified: 31 Gusht, 2022