MASHT

MAShT shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me Olimpiadën “Lojëra pa kufi”

1 Qershor, 2016

Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bashkëpunim me institucionet parashkollore dhe “Save the Children” në Kosovë, kanë organizuar Olimpiadën “Lojëra pa kufi” për fëmijët parashkollorë të moshës 5-6 vjeçare.

Në hapjen e këtij aktiviteti ka marrë pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, i cili më pas ka marrë pjesë edhe në takimin e organizuar në Kuvendin e Kosovës të emëruar “Vendosja e Fëmijëve të rend të parë”, e cila është udhëhequr nga fëmijët.

Lojërat pa kufi, organizohen me qëllim të promovimit të vlerave që përmban në vete aktiviteti fizik dhe sportiv i fëmijëve të kësaj grup-moshe dhe arritjet edukative në të gjitha fushat e zhvillimit të fëmijëve në moshën e hershme. Prandaj, në Olimpiadë (aktivitet ky tanimë tradicional që mbahet çdo 3 vite), kanë performuar rreth 800 fëmijë garues të institucioneve parashkollore publike të Kosovës.

Ministri Bajrami, pasi që ua uroi të gjithë fëmijëve të Kosovës ditën e tyre, e quajti këtë aktivitet “Olimpiada e shpresave të reja të Kosovës”. “Këta fëmijë po rriten në shtetin tonë të lirë dhe të pavarur dhe të gjithë kemi obligim si prindër, si mësimdhënës, si shtet, që këtyre fëmijëve t’iu qasemi me shumë dashuri, me shumë mbështetje në mënyrë që ëndrra e tyre të realizohet”.



Qeveria e Kosovës, tha ministri Bajrami, është e përkushtuar që secili fëmijë të jetë i përfshirë në arsimin parashkollor dhe të ofrojmë një arsim cilësor, një arsim që është edukim, argëtim dhe mësim.

Ministri, me këtë rast, iu uroi fëmijëve përfundimin e arsimit parashkollor dhe iu dëshiroi mirëseardhje në klasën e parë, duke iu premtuar atyre se të gjithë së bashku do të jenë afër tyre dhe do të angazhohen që mësimdhënia që iu ofrohet të jetë sa më cilësore dhe shkolla të jetë një vend ku ata do të ndjehen mirë. 

Ndërsa, në takimin e  udhëhequr nga fëmijët në Kuvendin e Kosovës, ku përveq deputetëve ka qenë e pranishme edhe shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj, Laila Omar Gad, kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli iu premtoi fëmijëve se do të punohet shumë për avancimin e të drejtave të tyre. 

“Duhet të edukoheni, duhet të kërkoni të drejtat tuaja çdo vit e më shumë dhe me ngulm, në mënyrë që vendin tonë ta bëjmë një vend më të dashur për të jetuar, një vend të zhvilluar, me të cilin do të krenohemi së bashku”, tha ai dhe përmendi legjislacionin e miratuar nga Kuvendi për të drejtat e fëmijëve, ndërsa tha se shumë shpejt do të miratohet edhe Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve. 



Ndërsa, ministri Bajrami theksoi se, ata janë liderët e së ardhmes, sepse Kosova ka fëmijë të mrekullueshëm. “Ne jemi duke punuar çdo ditë që juve të ju sigurojmë shkolla cilësore, edukim cilësor, mësimdhënës që do t’ju qasen me shumë dashuri dhe përkushtim, sepse përmes edukimit cilësor dhe shkollave të mira, ne sigurojmë një të ardhme të mirë dhe realizimin e ëndrrave tuaja”.

Ministri Bajrami theksoi se, është duke u punuar shumë që ata të kenë edhe arsim të lartë cilësor dhe që nesër të mund të gjejnë punë për të siguruar mirëqenien për vete dhe familjet e tyre dhe të edukohen në një frymë të tolerancës dhe respektit reciprok, të cilat janë vlera të Kosovës. 

Duke kujtuar që Kosova ka kaluar momente të vështira dhe ka një histori të dhimbshme, ministri Bajrami i porositi fëmijët që ta kujtojnë historinë, por të mendojnë për të ardhmen. “Ju siguroj që Kosova do të jetë një vend i shpresave, vend i të ardhmes, i fëmijëve, një vend që nesër do të jetë anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian”.



Më pas, fëmijët e pranishëm në këtë takim, kanë folur për respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe gjendjen e fëmijëve të Kosovë, duke dhënë edhe rekomandime për mënyrën e përfshirjes së fëmijëve në vendimmarrje, gjithëpërfshirjes në arsim, mirëqenies dhe parandalimin e formave të ndryshme të dhunës ndaj fëmijëve.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.