MASHT

MAShT prezanton Raportin vjetor të vlerësimit të PSAK 2017/2021

15 Mars, 2018

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë prezantimin e Raportit vjetor të vlerësimit të Planit Strategjik të Arsimit të Kosovës 2017/2021, me ç’rast u vlerësua se ka pasur ngritje në sektorë të ndryshëm në realizmin e planit, ndërkaq sfidë kryesore në ngecjen e zbatueshmërisë ka qenë mungesa e mjeteve financiare.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka theksuar se, shpalosja e këtij raporti nxjerrë në pah të arriturat dhe sfidat në zbatueshmërinë e PSAK 2017/2021, ndërkaq u zotua se MAShT do të angazhohet në zbatimin me përpikëri të këtij Plani në vitet e ardhshme.

Ministri Bytyqi ka falënderuar GIZ-in dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për angazhimin e vazhdueshëm që po bën në përkrahjen e realizmit të aktiviteteve të Ministrisë së Arsimit dhe vlerësimin e punës së PSAK.

“PSAK 2017/2021 ka një rëndësi të madhe, sepse është dokument bazik që hapë rrugët drejt reformave të nevojshme të sistemit arsimor në Kosovë. Shfletimi i këtij vlerësimi do të nxjerrë në pah të arriturat dhe sfidat që paraqiten në zbatimin e këtij plani deri në vitin 2021. Një ndër pengesat që ne kemi hasur në raport është mungesa e buxhetit të mjaftueshëm, i cili do të mundësonte që PSAK të zbatohet në tërësi”, ka thënë ministri Bytyqi.

Ministri Bytyqi ka thënë se, gjithëpërfshirja ka shënuar ngritje nga niveli parashkollor deri në nivelin parauniversitar, ndërsa shtoi se fuqizimi i rolit të prindërve në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave do të ndihmonte në menaxhimin e mirë të shkollave.

Ministri Bytyqi po ashtu tha se, arsimi profesional është pikë kyçe e qeverisjes në këtë mandat dhe do të bëjmë përpjekje në ngritjen e kapacitetit të shkollave profesionale.

Ndërsa, përfaqësuesi i GIZ-it në Kosovë, Boris Scharlowski vlerësoi se, PSAK është një dokument i cili jep udhëzime të qarta rreth orientimit se ku duhet vendosur energjinë tonë të përbashkët. “Ky dokument gjeneron një shpresë të re për sistemin arsimor në Kosovë”, tha Scharlowski.

Last modified: 24 Gusht, 2022