MASHT

MAShT prezanton Kornizën e treguesve të arsimit në Kosovë

22 Mars, 2018

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me mbështetje të UNICEF-it (zyra në Kosovë), ka prezantuar Kornizën e treguesve të arsimit në Kosovë, Raportin vjetor statistikor me tregues kyç për arsimin parauniversitar dhe Udhëzuesin për llogaritjen e shpenzimeve në arsimin parauniversitar. Dokumentet e publikuara u vlerësuan jashtëzakonisht të rëndësishme dhe me ndikim në hartimin e politikave arsimore në të ardhmen dhe rritjen e transparencës.

Korniza e treguesve të arsimit në Kosovë përmban 39 tregues të ndarë në: qasje dhe pjesëmarrje, efikasitet të brendshëm, kushte të mësimnxënies dhe burime financiare.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi me këtë rast ka vlerësuar se dokumentet të cilat po publikohen ofrojnë një pasqyrë të qartë të planifikimit dhe shërbejnë si udhërrëfyes për llogaritjen e shpenzimeve dhe të hapave të cilët do të ndërmerren.

Ministri Bytyqi edhe një herë theksoi se angazhimet e vazhdueshme në zhvillimin e sistemit arsimor tregojnë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm për vendin, ndërkaq shtoi se, për të arritur këtë objektivë Kosova ka nevojë për përkrahje nga partnerë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe vendorë.

“Ky dokument të cilin sot po e shpalosim, është dokument shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Arsimit, sepse ne do të kemi informacione dhe parametra të ndryshëm të cilat do të ndihmojnë për të krijuar politika të qarta rreth zhvillimit të qëndrueshëm të arsimit në Kosovë, si një sektor me rëndësi të veçantë”, tha Ministri.

Ministri Bytyqi vlerësoi se, duke pasur një qartësi të zhvillimit të politikave arsimore, vendi do të arrijë të zhvillohet edhe në fusha të tjera. 

Ndërsa, shefi i UNICEF për Kosovën, Brandao Co, tha se Korniza e treguesve të arsimit në Kosovë dhe dokumentet tjera, do të prodhojnë efekte pozitive në të ardhmen, sepse janë dokumente jashtëzakonisht të rëndësishme të cilat do të ndikojnë në hartimin e politikave arsimore dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen.

Dokumentet e publikuara janë realizuar nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e UNICEF në Kosovë, Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

Last modified: 24 Gusht, 2022