MASHT

MAShT organizoi manifestimin qendror tradicional të “Festës së Abetares”

17 Maj, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë sot në manifestimin qendror të “Festës së Abetares”, e cila këtë vit u mbajt në Gjilan. Në këtë manifestim po marrin pjesë me programet e tyre fatosat e dhjetë shkollave nga rajone të ndryshme të Kosovës, shkolla “Ali Podrimja” e qytetit Bajram Curri të Shqipërisë, si dhe shkolla “ Ibrahim Kelmendi“ nga Lugina e Preshëvës.

Kjo festë gjithëkomëtare shënohet në kohën kur nxënësit kanë mësuar shkrim- lexim dhe përfundimisht kanë hapur shtigjet e diturisë.

Ministri Bajrami duke uruar fatosat dhe mësimdhënësit për këtë ditë të shënuar tha se, 
po festojmë së bashku një ngjarje historike, që na bënë krenarë për rrugën që kemi kaluar. 

“Sa jemi krenarë që sot po festojmë me fatosat e Preshevës dhe Shqipërisë, aq jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka jo vetëm Abetarja, por edhe një edukim dhe arsim cilësor. Ne kemi arritur që përmes Abetares, shkollës shqipe, ta ruajmë shpresën për një të ardhme të sigurtë të popullit tonë, për një edukim, emancipim dhe rrugëtim të pandalshëm drejt integrimeve evropiane”, ka thënë ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ka folur edhe për punën dhe sakrificën e mësimdhënësve tanë në periudha të ndryshme, duke e vlerësuar lartë kontributin e tyre në edukimin dhe arsimimin e brezave të tërë.

“Sot duhet të kujtojmë të gjithë mësimdhënësit, të cilët me shumë mund dhe sakrifia kanë vazhduar të edukojnë breza të tërë ndër vite. Sot po shënojmë pesë vjetorin e Abetares së Përbashkët, por duhet të punojmë që të rinjve tanë që vijnë Shqipëria, Presheva e Mali i Zi t’ u sigurojmë një edukim kombëtarë. Ne duhet të punojmë që krahas arsimimit kombëtarë të krijojmë një arsimim evropian”, është shprehur ministri Bajrami.

“Festa e Abetares” si manifestim tradicional, ka filluar të shënohet në vitin 2009 dhe ka karakter mbarëkombëtarë, ku përveq përfaqësuesve nga shtatë rajonet e Kosovës marrin pjesë edhe përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.

Last modified: 30 Gusht, 2022