Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në Konferencën “Prezantimi i dokumenteve kurrikulare dhe udhërrëfyesi për zbatim”, ku u bë prezantimi i dokumenteve të rishikuara kurrikulare: Korniza Kurrikulare, Kurrikula Bërthamë për nivelet 1, 2 dhe 3, Udhërrëfyesi për zbatim dhe Korniza e vlerësimit të performancës së shkollës.
Ministri Bajrami, me këtë rast vlerësoi se, prezantimi i këtyre dokumenteve shënon përfundimin e një procesi shumë të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm, që ka të bëjë me Kornizën e Kurrikulit dhe Kurrikulat lëndore, një proces i filluar me shumë guxim në vitin 2008.
“Kjo është gjëja më e mirë që po i ndodhë vendit tonë, sepse duke krijuar një rini të edukuar me kompoetenca dhe shkathtësi, i japim industrisë sonë një kapital të përgatitur njerëzor, i cili nesër do të mund të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik, por edhe në tranzicionin e përgjithshëm të shoqërisë, duke hapur rrugën për të rinjë, të cilët nesër do të jenë të barabartë me të rinjtë evropianë”, theksoi ministri Bajrami.
Ministri Bajrami tha se, tashmë krakas Kurrikulave ekziston edhe Udhërrëfyesi, i cili parasheh që nga 85 shkolla të shkohet në të gjitha shkollat e Kosovës, si një projekt i një partneriteti strategjik në mes të tri niveleve: shkollave, DKA- ve dhe Ministrisë së Arsimit.
Ministri Bajrami ftoi drejtorët e shkollave që të marrin me përgjegjësi zbatimin e Kurrikulës dhe sigurimin e cilësisë, ndërkaq u premtoi atyre mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës në autonominë e shkollave, në mënyrë që shkolla të jetë ndërmarrje e përbashkët në mes të mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, si dhe komunitetit të biznesit.
Ndryshe, procesi i pilotimit të Kurrikës së Re ka filluar në vitin 2013, fillimisht në 10 shkolla, pastaj në 85 shkolla, për të vazhduar me zbatimin e plotë të saj në të gjitha shkollat e Kosovës.
Last modified: 29 Gusht, 2022