Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për mbrojtjen e fëmijëve në internet me qëllim që institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese në nivelin parauniversitar të adresojnë mbrojtjen e fëmijëve/ nxënësve në internet nëpërmjet të procesit të rregull arsimor dhe aktiviteteve jashtëmësimore, duke i përgatitur ata për përdorimin e sigurt të internetit, në përputhje me zhvillimin e tyre të plotë në aspektin fizik, të komunikimit, social, emocional dhe intelektual.
Paraprakisht, MAShT ka hartuar edhe pakon e udhëzuesve ” Udhëtimi nëpër internet” (2 udhëzuesit për nxënës, 1 për mësimdhënës dhe 1 për prindër), me të cilën ofrohen alternativat e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme, duke trajtuar këtë tematikë me çasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor.
Rreth kësaj pakoje është zhvilluar dhe realizuar programi i trajnimit, ku fillimisht kanë përfituar 165 koordinatorë të cilësisë nga 25 komuna.
Kjo çasje e MAShT dhe mobilizimi i institucioneve arsimore synon shmangien nga keqpërdorimi i teknologjisë informative, dhuna digjitale, shkelja e privatësisë dhe elementeve tjera negative që mund të sjellë abuzimi me internetin.
Së shpejti MAShT do ta ndajë Udhëzimin Administrativ me komunat dhe shkollat duke u bërë thirrje për zbatim të duhur.
Last modified: 9 Qershor, 2022