Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bashkëpunim me Agjencionin Akademik dhe Kërkimor Kroat (CARnet), së bashku me partnerët e saj teknologjik Samsung, Cisco dhe Verso, kanë prezantuar sot konceptin e E-learning, si dhe DEMO Klasën e Mençur (Smart Classroom), e cila do të jepet si donacion nga CARnet dhe partnerët e saj për Shkollën e Mesme Profesionale “Gjin Gazulli” në Prishtinë.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, me këtë rast tha se, Qeveria e Kosovës dhe MAShT është e vendosur që të punojë me intenzitet drejt shkollës moderne, drejt shkollës digjitale, sepse modernizimi i sistemit shkollor do të mundësojë ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor.
“Ne jemi të vetedijshëm që kapacitetet e nxënësve tanë mundësojnë që ne të promovojmë shkollën digjitale”, tha ministri Bajrami dhe theksoi se në muajt në vazhdim ne do të shohim edhe prezantime të tjera në mënyrë që të dijmë se çka ofrojnë kompanitë lidere të teknologjisë informative në sektorin e edukimit.
“Ideja jonë është që për një periudhë jo të gjatë të gjitha shkollat e Kosovës të bëhen digjitale”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se digjitalizimin e shkollave do ta bëjmë me shumë kujdes.
Duke theksuar shkathtësitë që kanë nxënësit sa i përket përdorimit të teknologjive të reja, ministri tha se në këtë drejtim, reformën më të madhe duhet ta bëjmë te mësimdhënësit përmes trajnimeve.
“Qeveria e Kosovës tani ka mundësi financiare. Ne do të krijojmë buxhet përmes partnerëve tanë strategjik (Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar), që të shkojmë drejt rrugës së modernizimit të shkollave dhe universiteteve, në mënyrë që të ofrojmë një edukim cilësor, të reformuar, që padyshim do të krijojë një mirëqenie të përgjithshme, një shtet të fortë, një shoqëri demoktarike me sistem evropian të edukimit”, tha ministri Bajrami.
Drejtori i CARnet, z. Zvonimir Staniç, bëri prezantimin e projektit “Klasa e Mençur”, i cili do të fillojë të praktikohet nga fillimi i vitit të ri shkollor në shkollën “Gjin Gazulli”, e cila është përzgjedhur si shkollë model, ku do të promovohet projekti i shkollës digjitale.
Last modified: 29 Gusht, 2022