Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka bërë ndarjen simbolike të bursave për nxënës dhe studentë të komuniteteve Rom Ashkali dhe Egjiptian (RAE), projekt ky që po implementohet disa vite radhazi nga MAShT-i në bashkëpunim me donatorët .
Ministri Bajrami me këtë rast tha se ndjehet mirë që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me organizatat partnere sot po bën ndarjen e bursave për 500 nxënës të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe 50 bursave për studentët e të gjitha komuniteteve.
“Me këtë ne po krijojmë mundësi që të rinjtë e këtyre komuniteteve të arsimohen dhe edukohen, të ndërtojnë karrierë profesionale dhe të krijojnë perspektivë për jetën e tyre në të ardhmen “ tha ministri Bajrami.
Në vazhdim, ministri Bajrami tha se është shumë me rëndësi që të investojmë në edukim, ndërsa theksoi se personalisht ka qenë i angazhuar në fushatën për vetëdijesimin e fëmijëve dhe prindërve të komunitetit RAE për nevojën dhe rëndësinë e edukimit.
Ministri Bajrami, gjithashtu theksoi se Kosova është model për vendet e rajonit sa i përket ofrimit të mundësimit për arsimim të komuniteteve dhe se në këtë aspekt është mbështetur edhe nga donatorët, partnerë të arsimit në Kosovë.
Më tej, ministri Bajrami tha se, MAShT do të vazhdojë të mbështesë edukimin dhe arsimimin e komuniteteve dhe se këta të rinj që sot po marrin bursa, mbase një ditë do të jenë edhe liderë që përfaqësojnë në mënyrë të denjë komunitetin e tyre.
Diversiteti është vlerë e veçantë për vendin tonë, për Kosovën evropiane, demokratike e cila nuk sheh nga e kaluara, por ndërton të ardhme për të gjithë tha në fund Ministri Bajrami.
Z. Libor Chlad, nga Zyra e Bashkimit Evropian , ndër tjera tha se është jashtëzakonisht me rëndësi që të ofrojmë mundësi për arsimimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe se në këtë aspekt Ministria e Arsimit do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian.
Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe z. Patrick Etienne, nga Zyra Zvicerane per Bashkëpunim ne Kosove, si dhe përfaqësuesi i Roma Education fund z. Erxhan Galushi, që njëherësh janë donatorë të projektit të bursave.
Projekti për ndarjen e bursave , nxënësve dhe studentëve të komuniteteve , zyrtarisht ka filluar të implementohet më 1 Prill 2016, si rezultat i fondeve të IPA II 2014, dhe do të zgjasë për tri vite.
Last modified: 26 Gusht, 2022