Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja ka marrë pjesë në takimin e parë të këtij viti me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA). Në këtë takim u diskutua për legjislacionin në arsimin parauniversitar, formulën e financimit në nivel shkolle, Sistemit të Menaxhimit të Informatave në Arsim (SMIA) dhe pilotimin e Kornizës së Kurrikulës së Kosovës (KKK) dhe Kurrikulës Bërthamë (KB).
Ministri Buja, fillimisht ua ka uruar detyrën drejtorëve të sapoemëruar të DKA-ve dhe tha se do të jetë i gatshëm kurdoherë të ndihmojë në kryerjen më sukses të detyrave që kanë marrë përsipër t’i realizojnë gjatë këtij mandati.
Në vazhdim, ministri Buja foli për të arriturat që MAShT ka pasur gjatë vitit të kaluar. “Ne kemi përmbushur pothuajse në tërësi objektivat e planit veprues për vitin që shkoi”, tha ministri Buja.
Ministri Buja ka folur edhe për formulën e financimit në nivel të shkollave, për pilotimin e KK-së dhe KB-së si dhe Sistemin të Menaxhimit të Informatave në Arsim.
Sa i përket zbatimit të KKK-së, ministri Buja theksoi se deri me tash është pilotuar në 10 shkolla të niveleve të ndryshme, por tha se sivjet ky proces do të përfshijë edhe rreth 100 shkolla të tjera, prandaj kërkoi angazhimin e duhur të DKA-ve.
Në vazhdim, ministri foli edhe për infrastrukturën shkollore dhe theksoi se janë në proces të ndërtimit edhe 23 shkolla të reja, por shtoi se MAShT po bën përgaditjet për themelimin dhe ndërtimin e gjimnazit matematiko-natyror në Prishtinë.
Drejtorët e sapo emëruar të DKA-ve u interesuan për shumë çështje me rëndësi, siç janë: aftësimi për programin ECDL, licencimin e mësimdhënësve si dhe shumë çështje të tjera që janë me interes për menaxhimin e shkollës.
Last modified: 1 Shtator, 2022