MASHT

MAShT mbajti takim me DKA-të dhe drejtorët e shkollave për administrimin e Provimit të Maturës Shtetërore

2 Qershor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në takimin e përbashkët informues për çështjen e administrimit të Provimit të Maturës Shtetërore 2016 në afatin e qershorit, ku morën pjesë drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe drejtorët e shkollave të mesme të larta.

Në këtë takim u bisedua për përgatitjet që janë bërë për mbarëvajtjen e Provimit të Maturës Shtetërore, për sfidat dhe pritjet e këtij procesi të rëndësishëm të vlerësimit të nxënësve në nivel kombëtarë në arsimin parauniversitar. Ministri Bajrami, me këtë rast i ka ftuar të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces që të jenë në nivel të përgjegjësisë profesionale dhe të angazhohen plotësishtë për implementimin e suskesshëm të Testit të Maturës 2016.

“Matura Shtetërore është vlerësim i pjekurisë në sistemin arsimor, i cili tregon gjendjen reale në arsim. Ne jemi të përcaktuar që ky vlerësim të bëhet me standarde, kredibilitet dhe të mundësojë një pasqyrë reale të tranzicionit normal të nxënësve nga arsimi parauniversitar te arsimi i lartë.

Kemi në fuqi Ligjin e ri të Maturës Shtetërore, i cili është hartuar me kontributin e gjithë juve dhe ka lehtësuar Maturën Shtetërore. Ky ligj ka bërë të mundur që Testi i Maturës të jetë një prag i domosdoshëm për nxënësit që do të aplikojnë në studime të larta, por të gjithë të pajisen me diplomë pa marrë parasysh rezultatin në test”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu ka folur edhe për organizimin e një aktiviteti të nivelit kombëtarë që do të mbahet pas përfundimit të afatit të parë të Testit të Maturës, i cili do t’ i ndihmojë nxënësit për orientim në karrierë dhe do t’ i informojë se cilat profile ofrojnë punësim të shpejtë.

Ndërsa, kryetari i KQShM-së, z. Azem Guri ka folur për ndryshimet që janë bërë këtë vit sa i përket organizimit të Provimit të Maturës Shetërorë 2016. “Administri do të jetë i njëtë me vitin e kaluar, në klasa do të ketë deri në 18 nxënës, në çdo të 5- tën klasë do të ketë 1 administrues, në çdo objekt shkollor do të ketë deri në 2 Qendra të Testimit që nënkupton, që njëra qendër do të ketë prej 150- 180 maturantë. Këtë vit, në cilësi të monitoruesve në çdo komunë do të jenë të pranishëm zyrtarët e MAShT” 

Provimit të Maturës Shtetërore 2016 do t’ i nënshtrohen rreth 30 mijë maturantë, në 252 Qendra të Testimit dhe mbi 180 klasë, ndërsa për administrim janë të angazhuar rreth 3 mijë zyrtarë.

Last modified: 30 Gusht, 2022