Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka lansuar fushatën “Të gjithë së bashku për arsim më të mirë në Kosovë”, e mbështetur nga partnerët e përhershëm në fushën e arsimit, me moton “Arsimi në dorën tënde”, e cila veç tjerash ka për qëllim ngritjen e vetëdijes në shkallë më të lartë, për qasje ndryshe ndaj arsimit, që arsimi çdo ditë të jetë prioritet individual, familjar, shoqëror e institucional.
Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka falënderuar GIZ-in, si lider i kësaj fushate dhe institucionet tjera ndërkombëtare kontributdhënëse në këtë fushatë, për gatishmërinë e dëshmuar që të jenë pjesë e përpjekjeve që të arrihen objektivat e përbashkëta integruese në fushën e arsimit.
Ministri Bytyqi theksoi se, Kosova ka një rini e cila meriton një arsim dhe edukim më të mirë, e përgatitur me shkathtësi dhe kompetenca, e denjë për tregun e punës në të gjitha vendet evropiane e më gjerë.
“Ne duhet ta bëjmë një edukim dhe arsim cilësor gjithsesi. Por, që ta bëjmë këtë, realisht nevojitet një mobilizim i të gjithëve akterëve relevantë, jo vetëm institucioneve të arsimit. Ky mobilizim, ky vullnet për të mirë, duhet të burojë edhe nga prindërit, arsimtarët , nxënësit, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile”, ka thënë Ministri.
Ministri Bytyqi, po ashtu ka thënë se, Ministria e Arsimit gjatë këtyre viteve është sfiduar me procesin e reformave dhe hartimin e dokumenteve strategjike për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka përmendur edhe rezultatet e Testit PISA, të cilat shtruan nevojën e angazhimit të MAShT dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë në trajnimin e mëtutjeshëm të mësimdhënësve për arritjen e objektivave integruese.
“Gjithsesi, ne duhet ende të vazhdojmë me trajnimet e nevojshme, por do të kërkojmë më shumë nga mësimdhënësit, që ata të shkojnë më të përgatitur në klasë, të mos harrojnë në asnjë çast nevojën e të mësuarit tërë jetësorë dhe llogaridhënien”, tha ministri Bytyqi.
Në fund, Ministri theksoi se pa arsim cilësor nuk mund te ketë zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe pa ndryshimin e qasjes ndaj arsimit, pa angazhimin e të gjithëve, nuk mund të kemi rritje të cilësisë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, tha se, mbështetja në përmirësimin e cilësisë ka qenë në fokus të përhershëm të Gjermanisë, ndërkohë theksoi se shteti i tij do të vazhdojë edhe më tutje të mbështesë zhvillimin e arsimit më cilësor në Kosovë. Ai gjithashtu ftoi të gjithë partnerët relevantë që të marrin përgjegjësitë për veprim për të arritur rezultatet e dëshiruara.
Ndërsa, Boris Scharlowski, udhëheqës i ekipit GIZ/CDBE e prezantoi detaje për idenë dhe përmbajtjen e fushatës “Të Gjithë për një Arsim më të Mirë në Kosovë”.
Ceremonia e lansimit të Fushatës është bërë në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, në të cilën të morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ambasadorë të vendeve tjera, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, mësimdhënës, prindër dhe nxënës. Fushata pritet të zgjatë më shumë se një vit, në kuadër të së cilës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në shkollat e Kosovës.
Last modified: 25 Gusht, 2022