MASHT

MAShT ka organizuar me sukses Testin e Arritshmërisë 2014

23 Maj, 2014

Ministria e Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka organizuar me sukses Testin e Arritshmërisë -2014 , për rreth 29 mijë nxënës të klasave të nënta.

Testi i Arritshmërisë, i cili organizohet për nxënësit që përfundojnë klasën e nëntë në të gjitha shkollat e vendit, ka për qëllim t’u mundësojë të rinjve të bëjnë përzgjedhjen e drejtimeve të shkollimit të mëtutjeshëm në arsimin e mesëm, gjë që bëhet në bazë të numrit të pikëve që marrin.

Zëvendësministri i Arsimit, z. Nehat Mustafa, ka vizituar nxënësit gjatë testit në në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, me ç`rast u shpreh se në bazë të informacioneve që kanë marrë nga të gjitha qendrat e testimit, procesi ka shkuar mirë. Ai theksoi se pikët e fituara nga nxënësit në këtë test, janë përcaktuese për shkollimin (orientimin) e tyre të mëtejmë.


“Ne kemi thënë me kohë që kjo është një përgjegjësi më e madhe e vet drejtorive komunale të arsimit, në mënyrë që ata të bisedojnë me mësimdhënësit, të cilët i angazhojnë si administrues. Në këtë mënyrë të kemi rezultate sa më të besueshme dhe vërtetë ato rezultate të jenë përcaktuese që më të mirët të regjistrohen në drejtimet që mund të themi se janë më elitare siç janë: gjimnazet apo shkollat profesionale (si Mjekësia)”, tha zv/ministri Mustafa.

Në vazhdim, zv/ministri Mustafa, tha se Ministria e Arsimit këto teste i shfrytëzon për të bërë analiza që kanë të bëjnë me realizimin e plan-programeve gjatë vitit shkollor që tashmë është në përfundim.

“Gjatë analizave që ne kemi bërë, kemi parë që plan-programi kryesisht është realizuar në të gjitha shkollat e Kosovës. Pastaj, kemi parë që janë zhvilluar njohuritë profesionale të mësimdhënësve të lëmive të ndryshme dhe kemi pothuajse një ngritje të vazhdueshme, sidomos në lëndën e Matematikës, e cila është një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen.”

Testit të Arritshmërisë iu nënshtruan rreth 29 mijë nxënës që kanë përfunduar klasën e nëntë. Testi, përveçse matë arritjen e nxënësve gjatë shkollimit të ulët, është edhe një lloj vlerësimi që iu bëhet mësimdhënësve dhe shkollave, përkatësisht niveli i cilësisë së arsimit.

Last modified: 1 Shtator, 2022