MASHT

MASHT intensifikon përgatitjet për vitin e ri shkollor 2010 – 2011

24 Gusht, 2010

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në takimin e rregullt me Drejtorët Komunal të Arsimit (DKA) ka shtruar nevojën e rritjes së dinamikës për përgatitjet rreth fillimit të suksesshëm të vitit të ri shkollor. Janë siguruar tekstet falas për të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 një pjesë e të cilave do të jenë tekste të ruajtura nga nxënësit nga vitin paraprak.

Ministri Hoxhaj ka bërë apel për angazhim maksimal të të gjithëve me qëllim të fillimit të mbarë të vitit të ri shkollor 2010/11.

Viti i ri sipas kalendarit shkollor fillon me datë 1 shtator. Jemi të përkushtuar që të shpërndajmë tekstet shkollore me kohë. MASHT ka siguruar tekstet falas për të gjithë nxënësit sipas kërkesave dhe shënimeve të DKA-ve, meqë një pjesë e këtyre teksteve sipas Udhëzimit Administrativ është dashur të ruhet nga viti i kaluar.

Përgjegjësia për shpërndarjen e teksteve u takon DKA-ve, por MASHT do të ofrojë mbështetje dhe mbikëqyrje të këtij procesi, – tha ministri Hoxhaj. Ai gjithashtu apeloi që të mos pensionohen mësimdhënësit gjatë vitit shkollor por “ose të pensionohen para kohe të paktën ata që dëshirojnë ose të vazhdojnë me punën deri në fund.

Dihet se komuna është punëdhënësi dhe këtë çështje duhet ta rregullojë me kohë” theksoi ministri Hoxhaj. Sa u përket objekteve të reja shkollore, ministri tha se, komunat duhet të kryejnë obligimet e veta që kanë për sigurim të rrymës elektrike, ujësjellësit dhe kanalizimeve përcjellëse.

Skender Xhakaliu, u.d. i sekretarit të përhershëm, tha se MASHT dhe DKA duhet të këmbejnë informata të sakta për numrin e nxënësve, nevojat për tekste shkollore, për tekstet e ruajtura dhe për çdo nevojë që mund të kenë shkollat gjithnjë në funksion të rritjes së cilësisë.

Ndërkaq Nehat Mustafa, kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror tha se “tashmë po afrohet koha e mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore (afati i dytë) për ata që nuk kanë pas sukses në qershor. Ne kemi bërë apel që të përzgjidhni mësimdhënësit më të përgjegjshëm për administrim por gabimet po na përsëriten. 
Kërkoj që të jeni më të përpiktë në këtë drejtim”,- tha kryetari i KQSHM-së Nehat Mustafa.

Në këtë takim është biseduar edhe për çështje të tjera me interes .

Last modified: 26 Gusht, 2022