MASHT

MAShT-i mbajti takimin e rregullt me DKA-të

4 Prill, 2012

Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë mbajtur të mërkurën takimin e rregullt me drejtorët komunal të arsimit, ku janë shpalosur ndryshimet rreth organizmit të Provimit “Matura Shtetërore 2012” dhe përgatitjet rreth këtij provimi.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka bërë të ditur se këtë vit provimit të maturës do t’i nënshtrohen rreth 32 mijë maturantë të rregullt, të cilët do të testohen në dy ditë, përkatësisht më 9 dhe 23 qershor 2012.”Kemi vendosur që maturën ta organizojmë në dy ditë. Në ditën e parë, më 9 qershor 2012 do të përfshihen 120 pyetjet nga lëndët e përgjithshme, gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë. Ndërsa më 23 qershor do të mbahet vazhdimi i provimit, ku do të ketë një test me 80 pyetje. Testi i sivjetëm në total do të përmbajë gjithsej 200 pyetje”, ka thënë zëvendësministri Mustafa.

Zëvendësministri i Arsimit, ka theksuar se gjatë procesit të ndryshimit të provimit të maturës, Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka pasur konsulta edhe me maturantë të pothuajse të gjitha shkollave të Republikës së Kosovës, ku përveç maturantëve kanë marrë pjesë edhe drejtorët e shkollave.

Më tej, z. Mustafa ka vlerësuar se ndryshimet të cilat KQSHM-ja i ka bërë këtë vit, janë ndryshime përmes të cilave përfitojnë maturantët, por që kërkon angazhim të shtuar nga Ministria e Arsimit, ndërkaq ka shtuar se javën e ardhshme maturantët do t’i kenë të gatshme broshurat me informatat e nevojshme rreth provimit të maturës.

Zv.ministri Mustafa, ka thënë se organizimi i provimit të maturës në dy ditë kërkon dyfishim të shpenzimeve, pasiqë edhe numri i personave të angazhuar rreth këtij procesi parashihet që të jetë shumë më i madh dhe se nuk do të lejohen më shumë se 150 maturantë brenda një qendre testimi.

Ndërsa, Udhëheqësi i Divizionit për Standarde, Monitorim dhe Vlerësim, Mustafë Kadriu ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për testimin e nxënësve të klasave të nënta, ndërkaq ka shtuar se procesi i vlerësimit të klasave të pesta ka shënuar progres nga viti në vit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.