MASHT

MAShT dhe UP nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për pranimin e studentëve në punë praktike

10 Tetor, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe rektori i Universitetit “Hasan Prishtina, z. Marjan Dema, nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi, për pranimin e studentëve në punë praktike, në të gjitha fushat që ndërlidhen me Ministrinë e Arsimit dhe institucioneve vartëse të saj.

Ministri Bajrami, me këtë rast ka theksuar se, angazhimi i studentëve në punë praktike gjatë kohës sa ata janë duke i kryer studimet është një përvojë e munguar, por e domosdoshme, në mënyrë që ata gjatë periudhës së studimeve të  ndërtojnë edhe shkathtësitë praktike dhe menaxheriale. “Duke marrë studentët në praktikë, ne u mundësojmë atyre që të krijojnë aftësi praktike të punës dhe të kualifikohen më lehtë për tu punësuar”, është shprehur ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, po ashtu ka bërë të ditur se, Ministria e Arsimit ka ndërtuar edhe programin e kryerjes së praktikës së studentëve, në bazë të të cilit do të mundësohet edhe stimulimi material për ta. “Studentët gjatë kryerjes së praktikes do të paguhen me nivel të një page minimale në Kosovë, do të pajisen me certifikata dhe do të kenë përparësi për punësim”, ka theksuar Ministri.

Ndryshe, në bazë të këtij Memorandumi të Bashkëpunimit, Ministria e Arsimit do të marrë nga 100 studentë në vit, në interval çdo tre muaj nga të gjitha degët e UP-së, përzgjedhjen e të cilëve e bënë Universiteti.

Last modified: 29 Gusht, 2022