MASHT

MASH DHE CARITAS-I ZVICERAN NËNSHKRUAN MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI

25 Shtator, 2020

25 Shtator 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe drejtoresha nacionale e Caritas-it për Kosovë, Vera Haag Arbenz, nënshkruan sot Marrëveshje Bashkëpunimi, në kuadër të Projektit SHPRESE.

Kjo marrëveshje synon të kontribuojë në ngritjen e cilësisë në edukimin parafillor dhe ofrimin e shërbimeve në këtë sektor në Kosovë. Marrëveshja njëkohësisht mundëson kalimin e njohurive dhe praktikave të Caritas-it zviceran (CaCH) të zhvilluara që nga viti 2002 tek institucionet vendore.

Ministri Ramë Likaj, me këtë rast, falënderoi znj. Arbenz për ndihmën të cilën Caritas-i zviceran ka dhënë në Kosovë, me theks të veçantë përkrahjen e zhvillimit të arsimit parafillor.

Ministri Likaj foli edhe për përkushtimin e Ministrisë së Arsimit në krijimin e infrastrukturës fizike, përmes ndërtimit të çerdheve dhe kopshteve me standarde të larta.

Pojekti SHPRESE është në përputhje me politikat, iniciativat dhe strategjitë përkatëse të Republikës së Kosovës dhe synon fëmijët e moshës 5 deri 6 vjeç, edukatoret që punojnë në klasa parafillore dhe ato që do të punësohen në të ardhmen, institucionet nacionale, lokale dhe nivelin akademik. Projekti është duke u realizuar nga CaCH dhe dy partnerët zbatues, Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKM).

Last modified: 8 Qershor, 2022