Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka shoqëruar znj. Cecilia Malmstrong, Komisionere për Punë të Brendshme e Bashkimit Evropian, me rastin e vizitës që i bëri shkollës “Selman Riza” në Fushë -Kosovë.
Znj. Cecilia , gjatë vizitës që po i bën Kosovës, ka shprehur interesimin për të parë nga afër se si po ecën procesi i integrimit në shkollë i nxënësve të komunitetit Rom Ashkalinj dhe Egjiptian -RAE , të kthyer në Kosovë.
Znj. Malmstrong me bashkëpunëtorë dhe zv.Mustafa qëndruan një orë të plotë mësimi më nxënësit, me të cilët biseduan për zhvillimin praktik të mësimit, për raportet shoqërore mes nxënësve shqiptarë dhe të komuniteteve, për tekstet shkollore dhe kushtet tjera praktike, që e ndihmojnë dhe bëjnë që arsimi të jetë sa më cilësor.
Cecilia Malmstrong u shpreh se ndjehet e kënaqur më atë që pa dhe porositi nxënësit që të mësojnë sa më shumë, ndërsa përkujtoi se qëllimi i vizitës së saj në këtë institucion arsimor është të shoh nga afër se si zhvillohet mësimi në klasat, ku së bashku mësojnë nxënësit shqiptarë dhe moshatarët e tyre të komunitetit RAE e të tjerëve në Kosovë.
Ajo gjithashtu ua përkujtoi nxënësve se vizita e saj në Kosovë kryesisht ka të bëjë me liberalizimin e vizave, nga e cila, siç tha ajo, “do të përfitoni edhe ju nxënës të dashur” .
Zëvendës ministri Mustafa e informoi zyrtaren e lartë të Bashkimit Evropian znj . Cecilia Malmstrong, për përkushtimin e Ministrisë së Arsimit, që të ofrojë mundësi shkollimi për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës në gjuhën amtare.
“Ne jemi të angazhuar për gjithëpërfshirje në arsim konform standardeve evropiane, duke ofruar shanse të barabarta për të gjithë përfshirë këtu edhe pjesëtarët e komuniteteve Serb, Boshnjak, Turq dhe komunitetin RAE. Ndërkaq, vëmendje të veçantë i kemi kushtuar integrimit të nxënësve të kthyer të komunitetit RAE, për arsimimin dhe edukimin e tyre përveç mësimit të rregullt kemi organizuar edhe mësim intensiv për t’ju mundësuar të zënë hapin me moshatarët e tyre”, tha zv. Mustafa.
Zëvendësministri Mustafa gjithashtu e njoftoi zyrtaren e lartë të BE- së në Kosovë janë rreth 35 shkolla të përziera dhe se gjuha angleze me Kurrikulën e ri është menduar që të mësohet nga klasa e parë, kurse nga klasa e 6 nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin edhe ndonjë gjuhë të huaj sipas dëshirës.
Ndryshe në shkollën fillore “Selman Riza” në Fushë- Kosovë, ku aktualisht mësimi zhvillohet në 3 ndërrime, vijojnë mësimin 1543 nxënës prej të cilëve 490 janë të komunitetit RAE . Mësimi zhvillohet në klasë të integruara, ndërsa gjatë gjysmëvjetorit të parë janë kthyer dhe sistemuar në shkollë 14 nxënës të komunitetit rom.
Last modified: 29 Gusht, 2022