MASHT

Luksemburgu do të financojë ndërtimin e dy Qendrave të Ekselencës në Kosovë

14 Shtator, 2010

Me ftesë të Qeverisë së Luksemburgut, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe zëvendësministri Agim Hyseni, gjatë ditës së hënë dhe të martë kanë qëndruar në Luksemburg për një vizitë pune.

Gjatë ditës së hënë, ata kanë pasur një takim me ministren për Familje dhe Integrim, Maria Jacobs, ku është biseduar për mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut në fushën e arsimit dhe ndërlidhjen e tij me nevojat e zhvillimit ekonomik dhe tregun e punës.

Me 1 shkurt të vitit 2010, Ministria për Familje dhe Integrim e Luksemburgut dhe MASHT-ti kanë nënshkruar një marrëveshjeve bashkëpunimi për ndërtimin e dy Qendrave të Ekselencës, të cilat janë qendra për arsim dhe aftësim profesional dhe financimi i tyre do të jetë kontribut i Qeverisë së Luksemburgut.

Gjatë këtij takimi, ministri ka informuar zonjën Jacobs për gjendjen politike në Republikën e Kosovës, për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për Rezolutën pas miratimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si dhe për reformat dhe trendët në arsimin kosovar.

Ndër fushat më të rëndësishme të reformimit të sistemit arsimor është fuqizimi dhe promovimi i arsimit dhe aftësimit profesional, i cili do ta ndryshonte misionin e arsimit sekondar në Republikën e Kosovës, i cili nuk do të duhej të përgatitë vetëm kuadro që ndjekin arsimin e lartë dhe studimet universitare, por të përgatitë fuqi punëtore të kualifikuar për treg të punës.

Si rezultat i bashkëpunimit në mes të ministrive të dy vendeve gjegjëse, Qeveria e Luksemburgut do të financojë ndërtimin, pajisjen dhe kualifikimet e mësimdhënësve për Qendrën e Ekselencës në qytetin e Ferizajt, e cila për fokus të mësimdhënies dhe mësimnxënies do ta ketë fushën e infermierisë, përderisa në qytetin e Prizrenit, programet mësimore do të fokusohen në profilet e tregtisë dhe turizmit.

Ndërtimi i të dy institucioneve arsimore do të fillojë gjatë muajit janar, përderisa pritet që për vitin shkollor 2011/2012 të ndodhin të gjitha përgatitjet për funksionimin e tyre.

Gjatë ditës së martë, ministri Hoxhaj dhe zëvendësministri Hyseni kanë pasur takim me rektorin e Universitetit të Luksemburgut, ku janë biseduar tri çështje kyçe: Së pari, themelimi, misioni dhe funksioni i Universitetit të Luksemburgut, si universitet që ka filluar të punojë nga viti 2003.

Së dyti, bashkëpunimi në mes të Universitetit të Prizrenit, i cili është në themelim e sipër dhe atij të Luksemburgut, sa i takon shkëmbimit të përvojave në mes të këtyre dy universiteteve të reja, që kanë të bëjnë me strukturën qeverisjes të universitetit në organizimin e programeve studimore, në vendosjen e prioriteteve kërkimore-shkencore, si dhe sa i takon formulës së financimit të universiteteve publike.

Çështja e tretë, për të cilën është biseduar në këtë takim, është mobiliteti akademik në mes të studentëve dhe profesorëve të universiteteve si dhe një marrëveshje e bashkëpunimit në mes të Universitetit të Prizrenit dhe atij të Luksemburgut, e cila pritet të nënshkruhet gjatë muajve të ardhshëm.

Last modified: 26 Gusht, 2022