Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit “Qendrat e Partneritetit Arsimor për Bashkëpunim Ndëretnik” , në të cilën ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hoovenier, presidenti i RIT Kosovo, Kamal Shahrabi, drejtoresha e USAID në Kosovë, Eileen Devitt, përfaqësues të Fondacionit AUK dhe Kolegjit RIT në Kosovë, nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, profesorë dhe studentë.
Ministrja Nagavci ka thënë se kjo ceremoni është në vargun e atyre ngjarjeve që na bëjnë të kuptojmë se po dëshmojmë historinë e re të Kosovës, duke qenë se projekti ka në fokus mbështetjen në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, të njohura si STEM dhe integrimin e të rinjve e të rejave me përkatësi etnike të ndryshme.
Ministrja Nagavci ka bërë të ditur se, që nga marrja e mandatit, MAShTI ka marrë hapa konkret në të dyja këto aspekte, duke ofruar mbështetje financiare për studentet vajza në fushat STEM dhe për studentët nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian.
Nagavci ka falënderuar partnerët tanë të kahmotshëm, USAID-i amerikan dhe RIT Kosova, dikur Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK) për këtë iniciativë kreative e cila i’u jep mundësi të rinjve e të rejave nga të gjitha përkatësitë etnike që të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hoovenier dhe presidenti i RIT Kosovo, Kamal Shahrabi gjithashtu vlerësuan lartë rëndësinë e këtij projekti, i cili synon integrimin e të rinjve të të gjitha komuniteteve në fushat STEM.
Last modified: 29 Shkurt, 2024