MASHT

LANSOHET PROJEKTI E-TWINNING NË KOSOVË

20 Qershor, 2024

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen lansuan projektin e-Twinning në Kosovë, pjesë e programit Evropian Erasmus+, i cili promovon bashkëpunimin e shkollave në Evropë nëpërmjet përdorimit të Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit, duke ofruar mbështetje, mjete dhe shërbime për shkollat.

Ky program është krijuar në vitin 2005, si pjesë e Programit të Mësimit Elektronik të Komisionit Evropian dhe sot numëron mijëra mësimdhënës dhe shkolla në gjithë Evropën, të cilët zhvillojnë projekte bashkëpunuese dhe ndajnë ide të ndryshme innovative.

Ministrja Nagavci duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, ka thënë se, përmes këtij projekti bëhet promovimi i mësimit bazuar në projekte dhe qytetarinë digjitale duke mundësuar të zhvillohen aftësitë digjitale në gjeneratat e reja, ndërsa nga fillimi i këtij viti Kosova i është bashkuar projektit të e-Twinning, përmes projektit të zyrës mbështetëse ndërkombëtare.

Nagavci tha se, që nga viti 2015 Erasmus+ ka qenë programi kryesor dhe më i madh i Bashkimit Evropian, i cili ka hapur dyert për mundësi të panumërta në fushën e bashkëpunimit mes organizatave vendase dhe ndërkombëtare në arsimin dhe aftësimin profesional, si dhe në arsimin e lartë – e tani edhe në arsimin parauniversitar.

Përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen shprehu kënaqësinë e tij për inaugurimin e një projekti të tillë në Kosovë, për rëndësinë e rrugëtimit kësaj iniciative, të ofrimit të shkollave të BE-së, që do i pasuroj përvojat edukative të mësimdhënësve.

E-Twinning nxit nxënësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, të krijojnë projekte, të shkëmbejnë ide dhe të përhapin praktikat më të mira ndërmjet tyre.

Last modified: 20 Qershor, 2024