MASHT

Kualifikimet profesionale në Kosovë përmirësojnë cilësinë për të përmbushur standardet Evropiane

11 Tetor, 2011

Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) ka prezantuar sot sistemin e aprovimit të kualifikimeve në kuadër të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK) dhe akreditimin e institucioneve të cilat do të vlerësojnë dhe lëshojnë këto kualifikime. Kualifikimet do të miratohen për t’u përfshirë në KKK-në e re e cila mundëson që këto kualifikime të krahasohen me ato ndërkombëtare në përputhje me Kornizën Europiane të Kualifikimeve.

AKK gjithashtu publikoi rezultatet e gjetjeve të testimit në terren të një numër të ofruesve të arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë të përfshirë në testimin e procedurave të AKK për validim dhe akreditim që është bërë gjatë verës së këtij viti me mbështetje të projektit EU KOSVET V, të financuar nga KE-ja. Testimi përfshinë një vlerësim të detajuar të 15 kualifikimeve nga 8 sektorë të punësimit të prezantuar nga 11 ofruesë të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) duke përfshirë shkollat profesionale, qendrat e aftësimit dhe ofruesit jo formal të aftësimit.

Rezultatet e testimit tregojnë që kualifikimet profesionale gjithnjë e më tepër janë duke u hartuar në atë mënyrë që të fokusohen në nevojat e tregut të punës dhe gradualisht janë duke rezultuar me ngritje të cilësisë në arsim dhe aftësim në përputhje me standardet Evropiane.

Puna e AKK dhe partnerëve të saj të cilët punojnë në zhvillimin e kualifikimeve standarde Evropiane për Kosovë do të ndihmojë në punësimin e personave të kualifikuar dhe do të rrisë njohjen e shkathtësive dhe kompetencave të tyre në tregjet vendore dhe ndërkombëtare të punës. 

Ramë Buja, Ministri i Arsimit, ndër tjera tha: “Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është e përkushtuar për përmirësimin e sistemit të AAP në Kosovë, për të siguruar se të rinjtë dhe të rriturit janë në gjendje për të fituar kualifikime që do të njihet si ekuivalente me ato të lëshuara në vendet e zhvilluara evropiane. Implementimi i Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve është një pjesë jetike e politikave të arsimit së Kosovës e cila do të sigurojë një platformë për zhvillimin e kualifikimeve që do të plotësojnë nevojat e nxënësve dhe punëdhënësve në vitet që vijnë. Kështu që ne do të bëjmë të mundur për të krijuar fuqi punëtore që është kompetente, fleksibile dhe të aftë për të konkurruar në tregun vendor, rajonal dhe global. Pas pilotimit, AKK do të fillojë me sistemimin, aprovimin e kualifikimeve në KKK dhe akreditimin e institucioneve që do të vlerësojnë dhe lëshojnë këto kualifikime, në mënyrë që të krijojë bazën për funksionim të plotë të kornizës e cila plotëson nevojat e Kosovës dhe qytetarëve të saj.”

Christof Stock, udhëheqës i Operacioneve të Zyrës Ndërlidhëse të KE, tha: “Unë do të doja të përgëzoj AKK për fillim të shkëlqyer që ka bërë në zhvillimin e një sistemi të kualifikimeve që është një linjë me zhvillimet më të fundit në vendet e BE. BE-ja ka mbështetur reformat e sistemit të AAP në Kosovë përmes gjashtë fazave të projekteve të KOSVET dhe kjo është një arritje që përfaqëson një modernizim të rëndësishëm të arsimit dhe aftësimit në Kosovë, nga të cilat do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset. Në klimën e tanishme ekonomike është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë një fuqi punëtore më të kualifikuar që do të ndihmojë për të tërhequr mbështetjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik.”

Last modified: 29 Gusht, 2022