Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z Arsim Bajrami, ka marrë pjesë në ceremoninë e pritjes me rastin e kthimit në Kosovë të 57 studentëve, të cilët kanë kryer studimet e nivelit master në universitete të ShBA-ve.
Këta studentë janë përfitues të bursave nga programi i USAID-it “Transformimi i Lidershipit”, i cili po realizohet në bashkëpunim me MAShT-in në disa universitete të njohura të ShBA-ve.
Në fjalën e rastit, ministri Bajrami ka uruar studentët e diplomuar dhe u shpreh se me përvojën e fituar në këtë vend të zhvilluar, ata do të kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe në transformimin e mentalitetit.
“Me vijimin e studimeve në ShBA, ju keni pasur rastin të shihni se si është filozofia e të jetuarit atje, cila është fuqia e universiteteve në ShBA si promotore të zhvillimit të shoqërisë. Jemi të sigurtë se këto përvoja dhe njohuri të fituara atje, do t’i sillni në Kosovë, kudo që të jeni angazhuar, në sektorin publik apo privat“, tha ministri Bajrami.
Në vazhdim, ministri Bajrami tha se, ky është projekti më i madh i bashkëpunimit me Qeverinë Amerikane në fushën e arsimit të lartë, ndërsa theksoi se së shpejti, së bashku me ambasadorin Delawie, do të shikojnë mundësitë për projekte të reja bashkëpunimi në këtë sektor.
Nga programi “Transformimi i lidershipit”, kanë përfituar 185 studentë, ndërsa 57 të kthyerit janë gjenerata e parë e të diplomuarve në nivelin master.
Last modified: 29 Gusht, 2022