MASHT

Kryeministri Thaqi dhe ministri Buja përuruan shkollën e re në Runik të Skenderajt

25 Nëntor, 2011

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaqi dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, kanë përuruar objektin e ri të shkollës fillore “Shotë Galica” në Runik të Skenderajt.

Në këtë ceremoni solemne kanë marrë pjesë edhe bashkëpunëtorë të kryeministrit dhe të ministrit të Arsimit, udhëheqës komunal të Skenderajt, mësimdhënës, nxënës dhe qytetarë shumtë që kishin ardhur për të shënuar këtë ngjarje të rëndësishme.

Për të shprehur gëzimin e tyre për shkollën e re moderne, në të cilën ata do të mund të ndjekin mësimet dhe për nder të emrit që mban kjo shkollë, si dhe për nder të festave të Nëntorit, më të vegjëlit e shkollës i prisnin mysafirët me flamujt kombëtar dhe të Republikës së Kosovës në duar. Ata ishin edhe gjallëria që i dhanë kësaj feste, e disa prej tyre madje ishin veshur edhe me veshje kombëtare dhe veshje solemne.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, me këtë rast, theksoi se ministria që drejton ai, krahas ngritjes së cilësisë në arsim, e cila edhe është prioritet tashmë, po punon edhe më tutje në drejtim të krijimit të hapësirave të reja dhe moderne për zhvillimin e mësimit, sepse kjo edhe është njëra nga pikat që lidhet direkt me cilësinë në arsim.

Por, ministri Buja, gjatë kësaj ceremonie solemne dha edhe lajmin e shumëpritur: “Unë sot kam për t’ju thënë edhe një lajm tjetër që besoj është shumë interesant e ai është që sot shpallim konkursin për Abetaren gjithëshqiptare dhe ky është një event i rëndësishëm”, tha ministri Buja.

Krahas kësaj, theksoi ministri, kjo shkollë dhe ky lajm që e paraqita, bëhen në kuadër të manifestimeve të 28 Nëntorit, që është edhe Dita e Flamurit, ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe ditëlindja e UCK-së dhe këto gjëra besoj që janë shumë të kuptimshme që të ndodhin në këtë muaj.

Investimet ne ketë objekt janë bërë në bashkëfinancim të MASHT dhe Komunës së Skenderajt. Vlera e investuar në këtë objekt është mbi 1,5 milion euro dhe hapësira e objektit është rreth 5 mijë metër katrorë.

Objekti përmban këto hapësira: 25 dhoma mësimi, prej tyre 3 për nivelin parashkollor, hapësira për laboratorë dhe kabinete (art, biologji, kimi, fizike, informatikës etj), biblioteka, zyrën për drejtori, zyrë për administratë, kthinat ndihmëse, sallën e arsimtarëve, hapësira për shumë qëllime.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.