MASHT

Kryeministri Mustafa dhe ministri Bajrami kërkuan përkrahjen e të gjitha vendeve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO

4 Nëntor, 2015

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, në një konferencë të përbashkët për medie kanë kërkuar përkrahje nga të gjitha vendet për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencës dhe Kulturë (UNESCO).
 
Ministri Bajrami, më këtë rast, theksoi se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. “Potenciali ynë në të ardhmen e afërt është i madh dhe e vetmja mënyrë për ta kapitalizuar këtë mundësi është duke bërë prioritet arsimin dhe shkencën. Të dyja këto shtylla kryesore të zhvillimit, janë të përfshira në strategjinë afatgjatë të zhvillimit të Kosovës”, tha ai, ndërsa foli edhe për të arriturat në arsim dhe si rezultat edhe për synimin që Kosova të bëhet pjesë e Bolonjës.
 
Duke folur për përfitimet që do të sjellë në arsim anëtarësimi në UNESCO, ministri Bajrami tha se Kosova deri më sot ka humbur mundësinë për të përfituar nga miliona dollarë asistencë nga Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit, e cila punon në të dhënat e ofruara nga Instituti i Statistikave të UNESCO-s, i cili as nuk mbledh, as nuk jep të dhëna për Kosovën, sepse shteti ynë nuk është anëtar i UNESCO-s.  


 
“Qasja në programet e UNESCO-s do të ndihmojë Kosovën në fushat në nevojë kritike për përmirësim, të tilla si cilësia e kurrikulave, trajnimi i mësuesve, përdorimi i teknologjisë si dhe kërkimi shkencor e akademik. Këto probleme mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet shkëmbimit të lirë dhe të hapur të ideve, si dhe ndarjes ndërkombëtare të burimeve”, tha ministri Bajrami, ndërsa përmendi faktin se UNESCO përfshin 6 institute dhe 2 qendra të specializuara për arsim, që ofrojnë qasje në qindra programe, konventa, shkëmbime e projekte në fushat e arsimit dhe shkencës.
 
“Ne kërkojmë dhe angazhohemi të sigurojmë një arsim plotësisht modern dhe cilësor për të gjithë të rinjtë tanë. Anëtarësimi UNESCO do të na lejojë dhe lehtësojë ta arrijmë këtë qëllim”, theksoi ministri Bajrami.

Last modified: 31 Gusht, 2022

Comments are closed.