Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Edona Maloku-Bërdyna si zëvëndësministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Znj.Maloku-Bërdyna ka doktoraturë në Psikologji nga Universiteti Leiden (Holandë), ku ka mbaruar edhe magjistraturën me nderimet më të larta (Cum Laude). Ka përvojë 12 vjeçare si ligjëruese në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosova) dhe në Universitetin e Prishtinës, ku ka ligjëruar në lëminë e psikologisë.
Puna e saj shkencore është shpërblyer nga organizata shkencore me renome botërore siç janë: Akademia Britanike e Shkencave, Fondi për Hulumtime dhe Inovacion në Britaninë e Madhe (GCRF), e Fondacioni Suedez për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Hulumtim dhe Edukim (STINT).
Ka botuar dhjetëra artikuj shkencorë në revistat kryesore në lëminë e psikologjisë dhe shkencave sociale.
Znj.Maloku-Bërdyna është profilizuar si studiuese me renome ndërkombëtare nga Shoqëria për Studimin Psikologjik të Çështjeve Sociale (SPSSI) në SHBA, divizion i Asociacionit Amerikan të Psikologjisë (APA), dhe është shpërblyer me Çmimin e Studiueses për Shoqëri te Hapur (OSI) në Londër.
Last modified: 8 Qershor, 2022