MASHT

Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci takuan studentët e universiteteve publike të Kosovës

26 Dhjetor, 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në një takim të organizuar në Sallën “1 Tetori”, për të shënuar përmbylljen e këtij viti, kanë bashkëbiseduar me studentë të universiteteve publike të Kosovës, me ç’rast ndanë mirënjohje për disa studentë me notë mesatare 10.

Në këtë takim, të pranishëm ishin edhe zëvendësministrat e Arsimit, Taulant Kelmendi dhe Arsim Ademi, kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ardian Gola dhe rektorët e universiteteve publike.

Kryeministri Albin Kurti me këtë rast ka thënë se, teksa shohim se puna jonë si Qeveri dhe si institucione po jep rezultat, forcohet shpresa dhe besimi se Kosova është në duar të sigurta.

Tutje, kryeministri tha se, Qeveria ka ofruar mbështetje të pakursyer për rininë në tërësi, dhe në veçanti për studentët.

Ndërsa, ministrja Arbërie Nagavci në fjalën e saj theksoi se, potenciali rinor i Kosovës është tipari më dallues i yni si vend evropian, andaj ky potencial duhet ushqyer si duhet, dhe duhet mbështetur në të gjitha format e mundshme.

Ministrja Nagavci, po ashtu tha se, kjo Qeveri pa dyshim do të mbahet mend për mbështetjen e gjerë që ka ofruar për rininë dhe studentët. “Me bursa dhe subvencione, ju kemi dhënë mundësi të shtuara që të ndiqni ëndrrat tuaja akademike, shkencore dhe hulumtuese. Shpresojmë që ju kemi zgjeruar horizontet mjaftueshëm për t’ju nxitur që të mësoni e të punoni gjithnjë e më fort, për t’u bërë shtyllat e shoqërisë moderne që po ndërtojmë së bashku”, është shprehur Ministrja.

Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi angazhimin e Ministrisë së Arsimit për të mbështetur studentët nga të gjitha drejtimet, që nga ata me rezultate të larta e deri tek ata me nevoja ndryshe, duke dhënë bursa për studime Bachelor, Master dhe Doktoraturë, si brenda vendit ashtu edhe në top universitetet botërore, ndërsa foli edhe për ndikimin e bursave STEM sa i përket rritjes progresive të vajzave dhe grave në këto fushat të studimit.

Last modified: 26 Dhjetor, 2024